Nga JORGJI KOTE*

Disa ditë më parë, presidenti amerikan Obama zhvilloi konferencën tradicionale të shtypit me rastin e festave të fundvitit. Duke iu përgjigjur një gazetareje të revistës së njohur “Politica” me rastin e transferimit të saj në kryeqytetin belg, presidenti amerikan bëri dy komente pikante dashamirëse. Në të parin ai evidentoi nevojën për një revistë të tillë në Bruksel, ndërsa komenti i dytë ishte pohimi i tij se në Belgjikë janë shumë të mira “waffles” (frëngjisht “gauffres” – petull sipas variantit belg). Vetëkuptohet që ky lajm u përhap menjëherë në Belgjikë; në adresë të qeverisë vërshuan kërkesat për të përgatitur gaufrat e famshëm e në shenjë respekti t’i dërgoheshin si dhuratë presidentit Obama. Shtypi dhe media belge e përshkruan pohimin e lartpërmendur si një mundësi të shkëlqyer marketingu, jo vetëm të kuzhinës, por dhe të imazhit belg në përgjithësi. Menjëherë kryeministri belg bëri premtimin e rastit dhe pritet që këto ditë, nën kujdesin e posaçëm të ambasadorit belg në Washington, gaufrat belgë të ëmbëlsojnë më tej atmosferën festive në Shtëpinë e Bardhë. Vlen të theksohet se gaufrat, së bashku me 1500 llojet e birrave, midhjet, çokollatat dhe fritet origjinale, janë 5 kryemarka të imazhit, por dhe të eksporteve belge. Ky shembull domethënës është dëshmia më e freskët e përparësisë absolute që ka sot kulinaria, si pjesë përbërëse e diplomacisë së kulturës dhe asaj zyrtare. Vetëm se, ashtu siç përmendet së fundi dhe në librin “Diplomacia për të gjithë”, kulinaria i ka kapërcyer me kohë kufijtë tradicionalë të një procesi biologjik apo konsumi produktesh ushqimore. Tashmë, delikatesat gastronomike janë kthyer në marka dhe shenja dalluese të identitetit, imazhit, kulturës dhe krenarisë së një vendi, vlera të shtuara për turizmin etj. Shumë vende dallohen menjëherë nga specialitetet e tyre të spikatura gastro-nomike. Përmend, bie fjala, spageti, parmesan, paella, salsiçe, schnitzel, sushi, dhe vështirë se do të ketë njeri me kulturë e ca më pak diplomat që nuk njeh vendet që ato përfaqësojnë. Aq e madhe është bërë rëndësia e kulinarisë në ditët e sotme, sa shpesh thuhet “më thuaj se çfarë ha, të të them se cili je”. Këto specialitete gastro-nomike, bashkë me shampanjën, verën, birrën, koka-kolën, uiskin, konjakun etj. janë kthyer në ideologji, simbole të një sistemi dhe mënyre jetese, institucione të vërteta të kulturës. Kështu, “Octoberfest”-i gjerman, festivali kulturor 150-vjeçar më i madh në botë, njihet gjerësisht si “Festa e Birrës”; por, në fakt, birra është sebepi, sepse “Octoberfest”-i përfaqëson një ngjarje të madhe tradicionale mbarëpopullore, ku shpalosen vlerat dhe traditat më të mira të landit të Bavarisë. Duket se në këto linja po ecën me hapa të sigurt edhe Festa e Birrës në Korçë! Nisur dhe nga këto konsiderata gastronomike, Milano fitoi garën për organizimin e Ekspozitës Botërore Ndërkombëtare për vitin 2015, ku do të përfaqësohet dhe vendi ynë. Ish-presidenti francez, N. Sarkozy, sapo erdhi në pushtet në vitin 2007, ndër projektet e para që inicioi ishte që gastronomia franceze të shpallej thesar kulturor botëror i UNESCO-s. Po kështu, diplomacia belge po punon intensivisht që të njëjtin status të fitojnë edhe fritet e saj origjinale! Veç sa më sipër, specialitetet kulinare dhe markat e njohura të pijeve kanë ndikim jo vetëm në cilësinë dhe standardet e jetesës, por dhe në proceset e ndryshme politike, diplomatike dhe njerëzore. Ndaj dhe koktejet, bufetë dhe pritjet e shumta brenda e jashtë vendit, festimi i Ditës Kombëtare, degustimi i verës dhe pijeve tradicionale, ditët e kuzhinës kombëtare etj., tashmë janë pjesë përbërëse e punës, jetës dhe veprimtarisë së diplomacisë zyrtare, sidomos jashtë vendit. Ato janë momente tejet të përshtatshme e nxitëse për bisedime politike e diplomatike; sepse pas shijimit të specialiteteve të ndryshme kulinare, interesi, klima dhe atmosfera për trajtimin e çështjeve delikate bëhet më i madh. Shembujt këtu janë të shumtë. Një koleg më tregonte se gjatë Presidencës së radhës të BE-së në vitin 2011, krahas të tjerash i ishte kushtuar rëndësi e posaçme marketingut të verës së njohur hungareze Tokay. Tokay kishte qenë në “krye të vendit” në qindra takime, kokteje, veprimtari dhe festa. Gazetari-ikonë i televizionit italian, Bruno Vespa kishte qenë në mes të muajit nëntor 2013 në Tiranë për të dytën apo të tretën herë, për të bërë degustimin e një vere nga të Pulias në ambasadën italiane në Tiranë. Edhe në Bruksel është praktikë e zakonshme diplomatike që përfaqësi të ndryshme, duke përfshirë dhe ato të vendeve të vogla, të organizojnë mbrëmje për degustimin e verës. Ndërsa ambasada e Maqedonisë, në shumë ftesa aktivitetesh, nuk harron të përmendë se në fund do të ketë verë maqedonase, që ka efektet e saj tërheqëse. Për rrjedhojë, veprimtaria e një diplomati të vërtetë shoqërohet qysh në fillimet e veta edhe me njohjen në hollësi të specialiteteve të ndryshme gastronomike, jo thjesht si emra, por dhe të vlerave të tyre të shumëfishta. Këtu na vjen si model Faik Konica, i cili ishte dhe mjeshtër i apasionuar i kulinarisë, duke krijuar dhe një recepturë kokteji me emrin e tij. Nisur nga rëndësia e këtij komponenti për kulturën dhe imazhin, ashtu si vende të tjera me peshë si Kina, India, Tajlanda, Italia, Franca, Anglia, Spanja etj., edhe Japonia e ka përfshirë kulinarinë ndër tre elementët themelorë të strategjisë së re të diplomacisë së kulturës 2014-2020. Synimi i kësaj strategjie të quajtur “Cool Japan” është përmirësimi i imazhit të këtij vendi dhe “eksportimi” i vlerave dhe traditave të saj kulturore, ku kulinaria është një nga shtyllat e saj kryesore. Në këtë frymë, në fund të viteve ‘90, në vendin tonë filloi të zbatohej një praktikë shumë e mirë që më vonë u ndërpre. MPJ-ja dërgonte nëpër ambasada jashtë vendit sasi të caktuara me pijet tona tradicionale, verë, raki e konjak, të cilat servireshin në kokteje e pritje dhe në raste të vizitave të ambasadorëve dhe personaliteteve të ndryshme. Çfarë kënaqësie njerëzore ndienin dhe shprehnin vizitorët tanë! Pa dashur kurrsesi të hyjmë në analiza, do thënë se, me gjithë vështirësitë e njohura, duket se dhe në këtë fushë ka shenja dhe hapa premtues; pa dyshim që kërkesat në rritje për forcimin e imazhit publik të vendit tonë në botë, sidomos tani që jemi dhe kandidat të BE-së, do ta forcojnë më tej bashkëpunimin e nevojshëm ndërmjet aktorëve dhe faktorëve kryesorë në këtë fushë, me qëllim që kulinaria shqiptare të zërë vendin e nderit, si pjesë vitale e diplomacisë sonë të kulturës.

(os.de/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: