Nga: JORGJI KOTE*
Pas shkrimit të disa ditëve më parë “Pozitiviteti shqiptar në Bruksel”, disa komentues të nderuar i konsideruan me të drejtë bashkatdhetarët tanë të dalluar në procesin e integrimit edhe si “diplomatë qytetarë”. Kjo më nxiti që të hedh këto shënime mbi këtë temë, që ndonëse njihet pak si term, ka përhapje të ndjeshme në ditët e sotme. Sipas ekspertëve më me zë, “diplomacia qytetare” një ndër gjashtë “korsitë” e diplomacisë së sotme moderne nënkupton të drejtën dhe detyrimin moral të çdo shtetasi për të dhënë ndihmesën e tij në formësimin, nxitjen dhe përhapjen e politikës së jashtme të një vendi. Këta janë diplomatët qytetarë, brenda vendit dhe jashtë tij, në funksione “diplomatike” nga më të ndryshmet; si mikpritës të të huajve, turistë apo miq të ndryshëm, pronarë lokalesh apo hotelesh turistike, sidomos studentë, profesorë dhe njerëz me profesione të ndryshme brenda vendit, apo me banim e me punë jashtë shtetit ose për studime, vizita etj. Gjithashtu, diplomatëve qytetarë u bie jo rrallë rasti të jenë dhe në takime e veprimtari të ndryshme politike, ekonomike, kulturore e artistike, ku ata bëjnë të njohur natyrshëm dhe pa protokoll linjat dhe problemet kryesore të politikës së vendeve të tyre, traditat dhe vlerat e tyre të shumta. Roli i këtij dimensioni specifik është më i ndjeshëm dhe efektiv në vende me të cilat nuk ka marrëdhënie diplomatike ose shkëmbime të tjera, ose për shkaqe objektive, kur ka moskuptim të vlerave dhe traditave qytetare, që çojnë në mungesë tolerance dhe fërkime të ndryshme, ksenofobi etj. Francis Bacon, filozof, burrë shteti dhe mendimtar i njohur britanik shkruan se “kur tregohemi bujarë dhe të sjellshëm me një të huaj, kjo tregon se jemi qytetarë të botës dhe se zemrat tona nuk janë një ishull i izoluar nga vende të tjera, por një kontinent i bashkuar me to”. Ndërsa Albert Einstein shprehet se “paqja nuk mund të mbahet me forcë, ajo mund të realizohet vetëm me mirëkuptim”. Nga ana e saj, ish-Sekretarja e Shtetit e SHBA-ve, Madeleine Albright shprehet se: “Në epokën e ashpërsisë dhe bombave, diplomacia qytetare është ndërtuese urash”. Diplomacia qytetare ka marrë zhvillim të madh, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore dhe shembjes së komunizmit. Ishte sërish presidenti i madh amerikan, Dwight David Eisenhower, që më 11 shtator 1956, themeloi shoqatën e parë të mirënjohur të diplomacisë qytetare të këtij lloji, të quajtur “People to People International”. Në themel të veprimtarisë së saj qëndron ideja se paqja ndërmjet kombeve realizohet edhe nëpërmjet marrëdhënieve të mirëkuptimit dhe respektit ndërmjet individëve. Kjo shoqatë organizon veprimtari dhe vizita të ndërsjella në vende të ndryshme, forume, takime me studentë, qytetarë, të rinj, si dhe ka dhe një format të posaçëm edhe për diplomatët. Në maj 2006, gjatë një vizite zyrtare në Seul, u befasova kur në aeroport, një prej mikpritësve tanë, sapo më pa në xhaketë distinktivin e PPI-së, erdhi e më përqafoi i entuziazmuar që “People to People” vepronte dhe në Shqipëri!
Po kështu, ideja e “qyteteve motra” që njihet dhe si “city diplomacy” në SHBA dhe në Europë është ndër format më të përhapura dhe efektive të diplomacisë qytetare. Krahas enteve, shoqatave dhe institucioneve të përmendura më lart, protagonistë të rëndësishëm të kësaj diplomacie janë: aktivistë socialë, profesorë, studentë, ushtarakë, akademikë, artistë e sportistë. Pa dashur të hyj në shembujt e shumtë, të cilët edhe diplomatët i kanë pika reference, po ndalem në personalitetin e njohur politik dhe historik francez, Gilbert du Motier La Fayette; qysh në moshën 17-vjeçare La Fayette shkoi në SHBA, ku u takua me presidentin George Washington dhe u vu në dispozicion të lirisë dhe të drejtave njerëzore në këtë vend të ri e të madh. Ndonëse i ri në moshë dhe pa përvojën e duhur, ai mori pjesë aktive në Luftën e SHBA-ve, përkrah forcave progresive. 50 qytete në SHBA mbajnë emrin e tij, veç shumë shkollave, rrugëve etj.
Edhe vendi ynë ka pasur e ka mjaft diplomatë të tillë, qytetarë të njohur e të përmendur në shumë raste. E kemi fjalën për periudhën pas viteve ’90, kur shqiptarët patën të drejtën në masë të udhëtojnë jashtë vendit, të vendosen aty, por edhe të mirëpresin shokë, kolegë, miq e dashamirës të huaj. Një ndër veçoritë e diplomacisë qytetare është krijimi i mundësive të shumta dhe krejt origjinale të shprehjes së ndjenjave të dialogut, mirëkuptimit, miqësisë dhe mirënjohjes nga qytetarët e thjeshtë. Po e ilustroj këtë me një veprimtari mbresëlënëse, të organizuar më 15 mars 2011 në Ministrinë tonë të Jashtme, me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-të. Ndërmjet të tjerash, në atë veprimtari mbresëlënëse spikati një ekspozitë me portretet zyrtare në vaj të 44 presidentëve të SHBA-ve. Autor i tyre ishte piktori i apasionuar krutan me banim në Itali, Ismail Bërdaku. Aktualisht, kemi me mijëra “diplomatë qytetarë” brenda dhe jashtë vendit; stazhierë, studentë, mësues, pedagogë e profesorë në universitete dhe institucione të tjera prestigjioze, drejtorë shkollash, menaxherë, etj. Dukuri tjetër pozitive është se disa prej tyre, pasi janë integruar mirë jashtë shtetit, madje kanë bërë dhe karrierë profesionale, vitet e fundit janë caktuar “Konsuj Nderi”. Po përmend zonjën Anduena Stephan, një ndër më të njohurat në këtë fushë, me të cilën kemi bashkëpunuar shumë vite më parë kur ndodhesha me punë në Berlin; pas një përvoje të suksesshme si drejtuese në kompaninë e njohur “Hochtief” në Essen dhe si konsulente në Tiranë, Anduena është Konsulle Nderi e vendit tonë për Rajonin e Nord Rhein Westfalisë, më i madhi në Gjermani me 18 milionë banorë! Gjithashtu, dihet se fjala dhe veprimi i diplomatëve qytetarë është më efektiv dhe më i besueshëm, sidomos në kushtet e shtrirjes së asaj që njihet si “diplomaci e influencës dhe ndikimit”. Ndaj, është pozitive që shtypi dhe në rastin konkret “Gazeta Shqiptare” po u kushtojnë një hapësirë më të madhe modeleve dhe shembujve të shumtë dhe të spikatur në këtë fushë. Duke qenë kudo koncept dhe praktikë e re, nuk është as vendi dhe as momenti për analiza; ka vërtet arritje të spikatura, ashtu si dhe mangësi; kryesorja është se diplomacia qytetare përmban mundësi të pakufizuara. Aspekti i dytë i diplomacisë qytetare që lidhet ngushtë me të parën është kujdesi i shtetit për hallet dhe shqetësimet e bashkëqytetarëve dhe qytetarëve të një vendi, brenda, por sidomos kur ndodhen jashtë vendit, duke përfshirë edhe diasporën. Ky është edhe një nga misionet kryesore të diplomacisë zyrtare, që i jep asaj autoritetin dhe besueshmërinë e duhur. Kjo lidhet, në radhë të parë, me sektorin konsullor, si pjesë përbërëse e diplomacisë tradicionale. Por edhe me sektorë të tjerë që mbulojnë diasporën, me bashkëqytetarët, diplomacinë publike e të kulturës, komunitetin e biznesit, konsullatat e nderit dhe të gjitha shtresat e sipërpërmendura. Këtu, me gjithë arritjet dhe disa masa, të gjithë janë të vetëdijshëm se lipset të bëhet më shumë në mbështetje të bashkatdhetarëve tanë, për hallet, problemet dhe shqetësimet e tyre. Ndaj dhe diplomacia jonë zyrtare po e koncepton dhe trajton gjithnjë e më shumë bashkëpunimin me këto burime të pashtershme njerëzore, si një rezervë të madhe për zgjerimin e rolit të saj në të gjitha dimensionet.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: