TIRANE

Auditori i kolegjit universitar “Luarasi” mirëpriti dy personalitete të Rumanisë në konferencën me titull “Rumania dhe vlerat europiane”. Të ftuarit e nderit ambasadori i Rumanisë Sh.T. Z. Mircea Perpelea dhe Prof. Univ. Dr Constantin Chiriac dhanë idetë e tyre mbi formimet europiane të vendeve të Ballkanit duke u nisur nga vetë vendi i tyre. U diskutua mbi rrugën që duhet të ndiqet për të qënë pjesë e Bashkimit Europian e gjithashtu mbi vlerat humane që çdokush duhet të ketë e të ofrojë për të qënë qytetar i Botës.

I pyetur nga News24 ambasadori rumun dha idetë e tij sa i takon rrugës që Shqipëria duhet të ndjekë për të qënë pjesë e Bashkimit Europian dhe nëse vendi ynë duhet të ndjekë modelin rumun sa i takon reformës në drejtësi.

“Unë nuk mendoj se ka një “sekret” për rrugen qe Shqipëria duhet të ndjekë për në Bashkimin Europian. Ajo çfarë Shqipëria duhet të bëjë është të punojë më shumë, të ketë rezultate të forta dhe të përpiqet maksimalisht në çdo fushë që të sjellë ndryshime. Ne si vend normalisht e mbështesim futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe jemi krah tyre jo vetëm në bashkëpunimin politik por edhe atë kulturor e gjithashtu në çdo fushë të mundshme e cila sjell përparimin dhe vazhdimin e marrëdhënieve dypalëshe. Lidhur me shembullin e Rumanisë, unë nuk mendoj që Shqipëria duhet të ndjekë një shembull ajo duhet ta bëjë vetë një shembull në lidhje me drejtësinë në vend. Pasi në fund nuk kanë të bëjnë shembujt e vëndeve të tjëra por rezultatet. Nësë ka rezultate pozitive gjithçka shkon sic duhet.”

Ambasadori rumun nuk i kurseu konsideratat e tij për Universitetin “Luarasi”:
“Në universitetin Luarasi ndihem gjithnjë mirë, pasi këtu kam njohur pedagogë të shkëlqyer, mjaft të përgatitur që më bëjnë të ndihem mjaft mirë. Mendoj se do jem edhe herë të tjera për të biseduar me studentët për ekonominë dhe vlerat e Rumanisë por jo vetëm . Gjithashtu edhe për vlerat dypalëshe dhe komunikimin e dy vendeve për një ecuri më të mirë.”

Si pjesë e kësaj konference prof. dok Chiriac shpjegoi programin e tij për të rinjtë dhe kulturat e dy vëndeve nëpërmjet aktiviteteve kulturore, sociale dhe artistike që ai do të ndërmarrë duke filluar nga kjo konferencë e në ditët në vijim. Prof. Dok. Chiriac na jep edhe disa detaje mbi marrëveshjen e bërë midis tij dhe kolegjit universitar “Luarasi” i cili do t’i hapë rrugë një bashkëpunimi afatgjatë midis dy vëndeve.
“Jam në Shqipëri, në Universitetin “Luarasi” si përfaqësues i një prej festivaleve më të rëndësishëm në Rumani dhë në Ballkan ‘Sibiu festival’ i cili shihet në 75 qytete dhe përfshin 7000 spektatorë çdo natë që e ndjekin. Dua që këtë festival ta sjell në Shqipëri dhe të nisim kështu një marrëdhënie 3 vjecare për të bashkuar në një festival të vetëm traditat dhe kulturën e ballkanit e sidomos të dy vëndeve tona Rumanisë dhe Shqipërisë. Konkretisht do jetë një bashkëpunim midis Teatrit Kombëtar, Akademisë së Arteve, Ministrisë së Kulturës dhe universiteteve duke filluar nga universiteti “Luarasi”.

Mendoj se fryma e të qënit një që egziston në Shqipëri, e këtu nisem nga fakti i bashkëjetesës fetare i cili duhet të jetë shembull edhe për të gjithë Botën, e bën akoma më të drejtë zgjedhjen për të qënë në Shqipëri me këtë festival.

Sa i takon marrëveshjes me Universitetin “Luarasi” ne do të kemi një shkëmbim eksperiencash me rrjetin më të madh të vullnetarëve të cilin unë drejtoj, ku student të këtij universiteti do kenë mundësinë të kryejnë aktivitete vullnetare në të gjithë Europën dhe gjithashtu vullnetarë nga e gjithë Europa të jenë në Shqipëri dhe në universitetin “Luarasi” për të dhënë eksperiencën e tyre.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb