Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar së bashku me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Misionin në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë shprehën të enjten keqardhjen për vendimin e qeverisë së Kosovës për shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe në veri.
Me 31 maj qeveria e Kosovës miratoi vendimin përfundimtar për shpronësim të disa pronave në komunat e Leposaviçit dhe Zubin Potokut, të banuara me shumicë serbe. Sipas qeverisë vendimi është në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Kosovës dhe se shpronësimi është bërë në funksion të realizimit të “Projekteve Infrastrukturore të Interesit Publik” në këto komuna.
Shpronësimet e pronave në veri patën ngjallur edhe reagime të qytetarëve serb të cilët thanë se autoritetet në Prishtinë po synojnë të ndërtojnë baza të policisë në tokat e shpronësuara. Disa nga pronarët iu dejtuan gjykatave dhe të paktën 8 hektarë toke u përjashtuan nga shpronësimi.