MAQEDONI- I dërguari i posaçëm gjerman për Maqedoninë diplomati Johannes Haindl, i cili qëndroi në Shkup për të parë mënyrat e ndihmesës për zgjidhjen e ngërçit politik, tha se vendi i tij është i brengosur, por se lajmi i mirë është se ka dalje nga kriza, siç tha.
“Kjo është marrëveshja, parimet dhe rregullat e saj që e shtron rrugën e vendit drejt demokracisë, qëndrueshmërisë dhe integrimit Euro-Atlantik.”
Por, diplomati evropian tha se lajmi i keq është se ky proces ka ngecur, se kriza po zvarritet dhe se koha po kalon.
Ai u ka rekomanduar drejtuesve politikë që ta rivitalizojnë Marrëveshjen e Përzhinës së vitit të kaluar, si një kornizë ligjore për realizimin e reformave.
Johannes Haindl, e shikon si të nevojshme që partitë të dakordësohen për një datë të zgjedhjeve dhe të bëjnë atë që duhet bërë për plotësimin e kushteve për zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme. Si çështje të dytë ai përmend domosdoshmërinë e plotësimit të mandatit të Prokurorisë Speciale pa pengesa, si dhe zbatimin e rekomandimeve të raportit të njohur të diplomatit Priebe.
Diplomati gjerman sugjeron që drejtuesit e partive të nxjerrin interesat e vendit në radhë të parë dhe t’i mundësojnë shkuarjen përpara duke zbatuar reformat e nevojshme.
Edhe zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiç në Brukses është shprehur se ka ende shumë punë për t’u bërë dhe se Marrëveshja e Përzhinës mbetet thelbi dhe përgjegjësia kryesore e drejtuesve politik të Maqedonisë.
Por, ekspertët, si profesori Osman Kadriu, mendojnë se pa dhënien e llogarisë dhe përgjegjësisë nga ata që dëmtuan proceset, reformat vështirë mund të arrihen.
Eksperti i çështjeve kushtetuese, Kadriu thotë se vendimi i parë i presidentit Ivanov për faljen e 56 politikanëve dhe personave të tjerë, në mesin e tyre mjaft të dyshuar për vepra penale, ishte kundërkushtetues dhe me të presidenti bëri një grushtshtet, siç shprehet eksperti, por se tash më tërheqjen e plotësishme të vendimit janë krijuar kushte për vazhdimin e dialogut politik për zgjidhjen e krizës:
“Në veçanti, ai (presidenti) me këtë vendim, me anë të cilit e anulon vendimin për falje, i jep mundësi juridike Prokurorisë Speciale që të vazhdojë të ushtrojë kompetencat e saj. Dhe siç dihet, Prokuroria Speciale ka në kompetencë të gjitha ato lëndë të cilat duhet të formohen në bazë të aktakuzës që do t’i ngrejë Prokuroria Speciale, për të cilat vepra dyshohet se kryerës janë funksionarë të lartë të pushtetit”.
Por, z. Kadriu vlerëson se përbërja aktuale e gjyqësorit është nën ndikim politik dhe nuk ka kapacitet për ndriçimin e veprave, që paraqesin kusht për daljen e vendit nga kriza.
“Parlamenti, së bashku me partitë politike më të mëdha dhe drejtuesit e tyre, të cilët janë nënshkrues të Marrëveshjes politike në Përzhinë, duhet të marrin qëndrim për themelimin e gjykatës speciale, për çka do të duhet të intervenohet në vetë kushtetutën e Maqedonisë, ose në mungesë të vullnetit për ndryshime kushtetuese – dhe ky vullnet mungon për ndryshime kushtetuese dhe për themelimin e një gjykate speciale – vetëm për këto raste që dalin nga të ashtuquajturat “bomba” politike (skandali i përgjimeve), atëherë të mendohet që në kuadër të gjyqësorit penal-juridik të themelohet një departament që do të ketë në kompetencë vetëm zbardhjen, ndriçimin e rasteve që do të marrin formën e lëndëve konkrete nga Prokuroria Speciale”.
Prof. Kadriu vlerëson se pa marrë parasysh tërheqjen e plotë të vendimit për falje, presidenti Ivanov ka përgjegjësi politike për krizën e krijuar.

(sh.i/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb