TIRANE– I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, diplomati shqiptar Agim Nesho ka folur për zhvillimet politike dhe diplomatike gjatë këtij viti. Ai e konsideroi si pozitive takimin e Ramës me diplomatët si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Maqedoninë. Sa i përket negociatave me Greqinë, Agim Nesho tha se ka mungesë transparencë dhe për ecurinë e bisedimeve më shumë po informohemi nga mediat greke.

Në lidhje me ndërtimin e varrezave të reja të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke 1940-1941, diplomati u shpreh se statusi “varreza historike” është komprometues, pasi Shqipëria nuk ka pasur rol agresiv ndaj Greqisë dhe fqinjëve, raporton BalkanWeb.

“Ka disa zhvillime pozitive për diplomacinë e vitit 2017. Fjala që mbajti Rama me trupin diplomatik ishte e rëndësishëme, pasi u drejtua fokusi tek diplomacia ekonomike. Normalizimi i marrëdhënieve me Maqedoninë dhe bisedimeve me Greqinë është pozitive. Kemi çështjen e varrezave dhe te Janullatosit që tregojnë se pavarësisht dëshirës që ka Shqipëria, ekuilibri është i domosdoshëm edhe me çështjen e jashtme.

Ka mungesë transparence për bisedimet me Greqinë dhe më shumë po informohemi nga mediat greke. Statusi “Varreza historike” është komprometuese. Ne ishim të përdoruar, pasi Italia përdori Shqipërinë për të sulmuar Greqinë. Shqipëria nuk ka pasur rol agresiv ndaj Greqisë apo ndaj fqinjëve. Marrëdhëniet ndaj Greqisë duhet të jenë shumë të mira dhe me baza solide dhe me reprocitet të plotë”- tha Agim Nesho.

Ndërkohë sa i përket votimit pro të Shqipërisë në OKB të rezolutës anti-Trump për Jerusalemin, diplomati tha se ajo nuk ishte një rezolutë e zakonshme dhe Shqipëria votoi kundër një partneri strategjik si SHBA.

“Kjo nuk ishte një rezolutë e zakonshme dhe u kërkua nga vendet islamike. Rezoluta ishte një akt që dëshmonte një godite ndaj SHBA dhe fuqisë së saj. Ne votuam kundër një partneri strategjik, ku interesat tona janë ende të pazgjidhura dhe partneri jonë mbetet SHBA”- tha Nesho.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: