Përçarjet brenda lëvizjes Besa në Maqedoni kanë qenë në fokus të emisionit “Diplomaticus” në News24, nën moderimin e gazetarit Erion Kaçorri. Duke folur mbi këto probleme që kanë dalë në pah muajt e fundit, kryetari i lëvizjes Besa, Bilal Kasami është shprehur se disa individë të pakënaqur të cilët ishin në poste të larta të saj në momentin kur u shpall kongresi që do të mbahet më 24 shkurt dhe e ndjenë veten të rrezikuar se nuk do të merrnin legjitimitet nga strukturat bazë ndërmorën një hap të tillë që u vlerësua si një puç klasik politik.

“Një shqetësim që nuk i duhej Shqiptarëve të Maqedonisë, sepse lëvizja Besa u paraqit si një shpresë, si një subjekt politik që buron nga qytetarët dhe nga votuesit dhe nuk do jetë një subjekt politik i kapur nga disa individë. Unë këtë betejë do ta vazhdoj edhe më tej që lëvizjen Besa tua kthejë qytetarëve, votuesve dhe anëtarësisë së saj dhe nuk do të lejoj që asnjë individ brenda apo jashtë lëvizjes Besa të kapë këtë shpresë të Shqiptarëve dhe ta shndërrojë atë në një instrument për arritjen e qëllimeve të tyre”, shprehet Kasami.

Bilal Kasamit

Sipas tij, e gjithë kjo bëhet me një axhendë politike për ta dëmtuar lëvizjen Besa.
“Këta individë të pakënaqur siç duket edhe në zgjedhjet lokale kanë punuar kundër lëvizjes Besa duke e ditur që në komunën kryesore apo më të rëndësishme të Shqiptarëve të Maqedonisë siç është Tetova garova edhe unë dhe po këta individë kanë punuar në raste të caktuara edhe publikisht kundër meje duke punuar për kandidatin kundërshtar dhe kjo ishte si një alibi që sot të kërkojnë edhe largimin tim. Këta individë kanë kërkuar që pse jo, edhe publikisht Besa të jetë një subjekt politik me ndonjë orientim pak më të hapur fetar të cilën unë dhe shumica e anëtarëve të lëvizjes Besa e kemi kundërshtuar. Fillimisht problemet e shqiptarëve janë probleme kombëtare, ne nuk kemi probleme fetare. Ne kemi probleme me të drejtat tona kolektive si shqiptarë dhe jo si myslimanë që jemi”, deklaroi kryetari i lëvizjes Besa, Bilal Kasami për News24.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb