Komisionerja e Bashkimit Europian për drejtësinë, Věra Jourová në një intervistë për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në News24 ndër të tjera komenton propozimin e hedhur nga partia demokratike për vetingun e politikaneve. Jourova thekson se procesi më i besueshëm dhe i ndershëm i vetingut të politikanëve janë zgjedhjet e lira. Në intervistën e cila transmetohet e plotë ditën e enjte, zyrtarja e lartë europiane deklaron se mes zgjedhjeve të lira duhet të ketë një shqyrtim të fortë publik, politikanët duhet të jenë plotësisht të përgjegjeshëm ndaj publikut. Duhet të ekzistoj një shqyrtim shumë i rreptë nga media e pavarur duke iu prezantuar publikut punën që bëjnë politikanët bazuar në fakte.

“Ekzistojne procese që duhet të funksionojnë në vende demokratike dhe unë nuk mund të them nëse kjo është një ide e mirë apo jo, por do të dëshiroja të shoh më shumë kulturë politike në çdo shtet dhe të ketë presion më të madh ndaj politikanëve të cilët kanë bërë diçka të gabuar në mënyrë që të largohen nga detyra. Por kjo duhet bërë me anë të ligjit.

Duke u ndalur te reforma në drejtësi, Yourova thekson se është shteti shqiptar që zbaton reformat dhe jo Bashkimi Europian.

“Eshtë shteti sovran me kompetencat e tij sovrane dhe me qëllimet e veta politike. Jam e sigurtë qe procesi i reformimit të gjyqësorit dhe prokurorisë është shumë e rëndësishme në mënyrë që të rritet besimi i Shqiptarëve në këto institucione që janë themeluar për të dhënë drejtësi për njerëzit. Nuk mund ta imagjinoj që Bashkimi Europian mund ta bëjë këtë në vend të shtetit apo për shtetin” thekson komisionerja e Bashkimit Europian.

Zyrtarja e lartë Europiane deklaron se politikanët janë qytetarë të vendit dhe duhet t’i nënshtrohen të njëjtave instrumente dhe masave ligjore. Politikanet duhet të jenë subjekt i drejtësisë njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë, madje edhe në mënyrë më strikte sepse duhet të jenë llogaridhënës ndaj publikut dhe duhet të ekzistojë presioni ndaj tyre për dorëheqje në rast se janë përfshirë në një vepër të gabuar.

Intervisten e Plote me Komisioneren e Bashkimit Europian për drejtesine, Věra Jourová, mund ta ndiqni diten e enjte ne 20:30 ne emisionin “Diplomaticus” ne News24.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb