Eshtë naivitetet të mendosh se Serbia mund t’i japë Kosovës Luginën e Preshevës deklaron diplomati dhe eksperti i çështjeve të rajonit, Z. Shaban Murati duke folur per emisionin Diplomaticus. Teksa prezanton librin e tij me te ri “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” Z. Murati shprehet se  Prishtina zgjohet nga gjumi dhe ngren çështjen e Luginës së Preshevës në verën e vitit 2018 duke hedhur tezën se Lugina e Presheves mund të bashkohet me Kosoven.

“Cdo diplomat do të bëjë pyetjen e thjeshtë se përse kjo çështje nuk u diskutua shtatë vjet në bisedimet për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve kur kemi edhe krijimin e komunave serbe në veri të Kosovës. Pse nuk kërkoi Prishtina krijimin e komunave Shqiptare në jug të Serbisë? Janë Presheva, Medvegja dhe Bujanovci. Ka një farë naivititeti për të menduar se Serbia do ta japë Luginën e Preshevës. Jo vetëm një herë, por dhjetëra herë udhëheqësit e Serbisë duke përfshirë edhe kryeministren e përkufizuan këtë tezë si një marrëzi.

As nuk mund të mendohet se Serbia t’i japë Kosovës Luginën e Preshevës” shprehet diplomati Murati për gazetarin Erion Kaçorri në News 24.

Sipas studiuesit të njohur, ajo që tërheq vëmendjen në çështjen e Luginës së Preshevës është neglizhenca që është treguar ndaj saj edhe nga Shqipëria edhe nga Kosova. Në një situatë të tillë kur Kosovën nuk e njeh Serbia detyra kryesore i takon Shqipërisë që të merret me çështjen e Luginës së Preshevës dhe të mbrojë të drejtat e Shqiptarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb