Analisti i zhvillimeve politike në Maqedoni, Arsim Sinani, në një intervistë për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në News24 shprehet se shqiptarët nuk do të pranojnë që në dokumente dhe pasaporta të quhen me kombësi maqedonase. Sinani shprehet se sipas marrëveshjes së Prespës, në pasaporta nacionaliteti i të gjithëve do të quhet maqedonas, por shqiptarët nuk do ta lejojnë këtë gjë.


“Ali Ahmeti, Bujar Osmani, Artan Grubi, Teuta Arifi, të gjithë këta do të quhen maqedonas, por shqiptarët nuk do të pranojnë këtë lojë sepse ne nuk jemi të kapur. Ia kemi bërë të qartë edhe ambasadorit amerikan Jess Bailey në Shkup se ne jemi shqiptarë dhe nuk pranojmë që në pasaportat tona identiteti jonë të shkruhet maqedonas. Nuk është vonë për ta kundërshtuar. Mendoj se Zaevi e ka kuptuar këtë dhe ka bërë një lëvizje taktike. Askush nuk mund të na e fshijë identitetin tonë. Ne kemi identitet të qartë shqiptar. Shqiptarët nuk do ta pranojnë këtë diskriminim”, deklaron Arsim Sinani për News 24.


Arsim Sinani (2)
Arsim Sinani (2)

Duke u ndalur te ligji për gjuhën shqipe që vazhdon të mos nënshkruhet nga presidenti Ivanov, Sinani thekson se pala maqedonase po luan një lojë sa i përket gjuhës shqipe në Maqedoni. Kur VMRO është pro, LSDM është kundër. Kur LSDM është pro, VMRO është kundër.


“Është një lojë e vazhdueshme e establishmentit politik që shqiptarët të mos jenë element i shtetësisë të Maqedonisë. Kur studioja në Tiranë gjatë viteve ‘90 dhe lëviznim me autobusë, fobinë më të madhe doganierët dhe policët maqedonas e kishin te librat. Gjithmonë tentonin të na i ndalonin librat. Një lloj agresiviteti të tillë e shprehin edhe në politikë. Mendoj se është një lojë e keqe e establishmentit maqedonas. Pengesë kuptohet se është presidenti Ivanov i cili konsiderohet një president kukull kundër shqiptarëve.
Nuk mundet një shtet si Maqedonia që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në Nato të diskriminojë gjuhën shqipe. Maqedonia duhet të ketë edhe diçka tjetër parasysh. Ata janë një popull i vogël, nuk kanë dalje në det, të konfrontuar me serbët, të konfrontuar me Bullgarët, të konfrontuar me Grekët po ashtu. Atyre nuk u duhet një konfrontim me shqiptarët që janë mbi 40 për qind dhe që ruajnë stabilitetin e vendit”, deklaron profesori i universitetit të Prishtinës Arsim Sinani për News24.

Sipas tij politikanët shqiptarë në Maqedoni janë të kapur nga shteti. “Kemi një kryepolitikan që abuzon me shqiptarët dhe mendoj se në Maqedoni është luftë e madhe për tu ndryshuar elita politike brenda spektrit politik shqiptar. Plani i qeverisë maqedonase është se në momentin kur të kalojnë ndryshimet kushtetuese, pakënaqësia është e madhe te shqiptarët për shkak se me marrëveshjen e Prespës anashkalohen shqiptarët dhe kjo është një lojë e aksit Moskë, Athinë, Beograd, Shkup, në momentin që del në gazetën zyrtare del edhe ligji për gjuhën shqipe që Shqiptarët të kënaqen pak me qiqra apo me një karotë të vogël”. deklaron Arsim Sinani për “Diplomaticus”.

(BalkanWeb)