Më 13 dhe 14 shkurt, në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, u mbajt konferenca e organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku në fokus ishte situata në Lindjen e Mesme, ndonëse të gjithë vëmendjen e mori çështja e Iranit dhe ndikimin destruktiv që sipas Washingtonit, Teherani ka tek vendet fqinje.

Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan në konferencë nga nënpresidenti amerikan, Mike Pence dhe sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo. I pranishëm në konferencë ishte edhe kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu, por aty u vu re mungesa e përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian siç është shefja e diplomacisë Europiane Federica Mogherini. Për të analizuar arritjet e kësaj konference, në emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri ishte i ftuar ish senatori Amerikan Robert Torricelli i cili ishte pjesë e delegacionit amerikan. “Kërkesa kryesore e qeverisë time ishte që Irani t’i japë fund eksportit të terrorizmit, duke përmendur aktivitetitet e Hezbollahut në Siri dhe vitin e kaluar kemi parë përpjekjet e Iranit për akte terroriste në Paris dhe këtu në Shqipëri. Këto nuk janë akte të rastësishme. Këto janë vepra të organizuara nga qeveria e atij vendi dhe qeveria e Francës, Belgjikës, Gjermanisë dhe tani qeveria e Shqipërisë kanë treguar kurajë të konsiderueshme dhe secila prej tyre duhet admiruar”.

Duke komentuar kërkesën e nënpresidentit amerikan Mike Pence i cili nxiti Bashkimin Europian që t’i japë fund marrëveshjes bërthamore me Iranin, ish senatori demokrat thekson se ka pasur një përpjekje fatkeqe nga disa vende të Bashkimit Europian për të ngritur një mekanizëm tregtar që do të shmangte sanksionet amerikane, por deri tani asnjë kompani e vetme, asnjë vend i vetem, nuk ka arritur që të bëjë biznes përmes tij.

15 Shkurt Diplomaticus 2.00 01 52 06.still002
15 Shkurt Diplomaticus 2.00 01 52 06.still002

“Mund të bësh biznes me Iranin, një vend i falimentuar me borxhe masive dhe një ekonomi të lëkundur, ose mund të bësh biznes me Shtetet e Bashkuara, një vend me një ekonomi prej 20 trilion dollarësh, me ekonominë më të madhe në botë. Cila kompani me mendjen në vend do të zgjidhte Iranin”?

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarit në lidhje me mospjesëmarrjen në konferencën e Varshavës të përfaqësues së lartë të Bashkimit Europian për punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Federica Mogherini, Zoti Torricelli shprehet se kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë opinione të ndryshme. “Kjo ka ndodhur në luftën e Vietnamit, në luftën e fundit të Gjirit Persik. Gjithashtu kemi pasur opinione të ndryshme për luftën në Afganistan. padyshim që kemi pasur qëndrime të ndryshme për luftën e ftohtë me ish Bashkimin Sovjetik dhe kjo është pjesë e demokracisë. Edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë aleate të ngushta, kjo nuk do të thotë se do të biem dakord mbi gjithçka. Ne nuk biem dakord mbi gjithçka me Britanikët” shprehet Torricelli për News 24.

Sipas ish senatorit Amerikan një alternativë për Iranin është Këshilli Kombëtar i Rezistencës.

“Ajo përfaqëson mijëra iraniane të diasporës që janë të aftë për drejtimin e Iranit. Që përfaqëson mijëra të rinj që protestojnë në rrugët e Iranit, që përfaqëson komunitetin e biznesit, njerëz të diasporës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Europë dhe këtu në Shqipëri. Këta janë njerëz të talentuar që mund të qeverisin vendin në sistem demokratik, jo në një diktaturë teologjike.

Torricelli e quan lajm të mirë vendimin e Shqipërisë për të dëbuar diplomatët Iranianë.

“Unë në fakt mendoj se është një zhvillim i mrekullueshëm. Shqipëria është pjesë e aleancës perëndimore ushtarake, është pjesë e bllokut politik të kombeve perëndimore. Nëse nuk dëboni një diplomat i cili po planifikonte një sulm terrorist në kryeqytetin tuaj, atëhere kur do ta dëboni atë shtron pyetjen ish senatori amerikan Robert Torricelli për televizionin News 24.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb