NGA AVNI ALCANI

Janë disa foto të rralla me pamje nga Shqipëria e viteve 1941-1943. Autori i këtyre fotove është Dr. Pierluigi Zamperini, ish mjek ushtarak me gradën “Lejtnant Doktor”, i cili kishte punuar në spitalin fushor të “Qendrës Spitalore 21” të ushtrisë italiane në Babje të Librazhdit. Dimë shumë pak për jetën e autorit të këtyre fotografive. Mario Zauli, nipi i tij, i cili është personi që i disponon këto foto të rralla dhe që dëshiron t’i bëjë të njohura për publikun shqiptar, na shkruan se xhaxhai i tij, Dr. P. Zamberini, ka lindur në Xhenova (Itali) më 5 nëntor 1912 dhe vdiq në Cuneo, Itali, më 26 korrik 2003.

Dr. Pierluigi Zamperini ishte larguar nga Bari me anije dhe kishte mbërritur në portin e Durrësit për të shërbyer si mjek ushtarak në Shqipëri. Ai u dërgua fillimisht në “Qendrën Spitalore italiane” në Krastë dhe pas një qëndrimi të shkurtër në Elbasan u transferua në “Qendrën Spitalore 21” të Babjes, Librazhd. Këtu ai zhvilloi aktivitetin tij si mjek ushtarak, deri në largimin përfundimtar për në Volos të Greqisë. Vrndet që Dr. Zamperini ka vizituar në Shqipëri janë Durrësi, Elbasani, Librazhdi, Tirana, Pogradeci dhe Korça.

Dr. Pierluigi Zamberini, veç profesionit të mjekut, kishte një pasion të madh për fotografinë. Ai kishte krijuar një koleksion shumë të pasur me foto nga pjesëmarrja e tij në Luftën e Dytë Botërore. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, ai ka shkrepur shumë imazhe interesante nga Shqipëria e vitit 1941. “Xhaxhai im Pierluigi Zamperin, shkruan M. Zauli, më la të gjitha fotografitë e tij të marra gjatë Luftës së Dytë Botërore, në periudhën 1941-1943”. Mario Zauli thotë se ka trashëguar nga xhaxhai i tij rreth 300 fotografi me madhësi të ndryshme dhe shumica tyre janë me pamje nga Shqipëria e vitit 1941. Gati të gjitha fotografitë janë të pajisura me shënime të ndryshme, si data e fotografimit, vendi, emrat e personave të fotografuar etj.

Shumë nga imazhet e fotografive janë me përmbajtje ushtarake, por ka edhe foto me imazhe të tjera turistike, prej të cilave shumica janë peizazhe. Fotoja më e rëndësishme është ajo me pamjen nga vizita e Prendandorit Viktor Emanueli III, i cili vizitoi më 14 prill 1941 ushtarët italianë të plagosur, të cilët trajtoheshin nga ana mjekësore në “Bujtinën e Librazhdit”, në Qendrën Spitalore të Babjes. Perandori shoqërohej në këtë vizitë nga Ministri i Jashtëm i Qeverisë Italiane, Konti Ciano. Në një foto tjetër ndodhet edhe vetë Musolini duke vizituar spitalin italian të Krastës në Elbasan. Disa nga fotografitë paraqesin pamje nga luftimet, si dhe një foto me pamjen e një varreze të luftës të ushtrisë italiane.

Pjesën më të madhe të qëndrimit të tij, Dr. Zamperini e kishte në Librazhd dhe Elbasan, ndaj dhe pjesa më e madhe e fotove janë nga këto dy vende. Disa nga fotot paraqesin pamje nga ndërtimi kazermave ushtarake në fshatin Babje, pamje nga fshati Babje, pamje të luginës së lumit të Shkumbinit, të luginës së Rrapunit, malit të Shebenikut etj. Në qytetin e Elbasanit Dr. Zamperini ka fotografuar kazermat e Krastës, tregun, dyqane, banesa karakteristike, monumente të kulturës, kalanë e qytetit etj.

Gjatë vizitave që Dr. Zamperini ka zhvilluar në qytetet e Tiranës dhe Durrësit ai i ka fiksuar me objektivin e aparatit të tij pamjet më të bukura dhe më interesante të këtyre dy qyteteve kryesore të Shqipërisë. Në qytetin e Tiranës ai ka fotografuar monumentet më të veçanta të qytetit, si qendrën (xhaminë dhe kullën e sahatit), rrugët kryesore të qytetit, banesa karakteristike, tregun (sot Pazari i Ri) etj.

Pamjet më të bukura Dr. Zamperini i ka marrë nga qyteti i Durrësit. Ky qytet bregdetar me bukurinë e jashtëzakonshme të tij, me sa duket i ka bërë shumë përshtypje dhe ai e ka shkrepur shumë herë aparatin e tij. Autori ka fotografuar qendrën e qytetit, sahatin (që sot nuk ekziston), xhaminë e madhe në qendër, bulevardin “V. Emanueli” (sot “Rruga e tregtarëve”) vilën e Mbretit Zog mbi kodrën e qytetit, vilat e plazhit etj.

Koleksioni i fotografive të Dr. Pierluigi Zamperini kanë një vlerë të jashtëzakonshme për kulturën dhe historinë e Shqipërisë. Ato ruajnë në kujtesë një periudhë të caktuar historike të Shqipërisë së periudhës së Luftës së Dytë Botërore, të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Pjesa më e madhe e fotove paraqesin vende dhe objekte të ndryshme disa prej të cilave nuk ekzistojnë më, apo që kanë ndryshuar tërësisht pamjen e tyre. Kurse disa foto të tjera paraqesin aspekte nga jeta e përditshme e banorëve të qyteteve dhe fshatrave shqiptare.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb