TIRANË

Ervin Salianji nuk do të jetë më sekretar i Aksionit Qytetar në PD, kjo pasi kreu i PD-së Lulzim Basha vendosi ta shkrijë këtë post. Këshilli Kombëtar zgjodhi sot strukturat e reja brenda PD.

Në një reagim për mediat jashtë PD-së, Salianji theksoi se nuk ka rëndësi posti dhe se nuk duhen funksione për të dhënë kontribut, duke u fokusuar tek protestat. I pyetur nëse është i zhgënjyer, deputeti i PD foli për intriga por jo për emra por theksoi se do të kontribuojë fuqishëm në PD.

Zoti Salianji si ju duket procesi sot?
Një ditë e rëndësishme dhe lajmi sot duhet të jetë protestat që ka vendosur Këshilli Kombëtar për të thërritur në emër të Partisë Demokratike dhe të opozitës së bashkuar. Ky është lajmi kryesor. Lajmi tjetër është që sot ka dhe një ekip akoma të votëbesuar besoj pas pak orësh, i cili do të marrë përgjegjësinë së bashku me kryetarin e partisë për të gjitha aksionet e nisura dhe të përfunduara dhe për çdo aksion tjetër të nisur dhe të papërfunduar. Kështu që lajmi sot duhet të jetë vetëm protestat, protesta dhe bashkimi i çdo demokrati dhe çdo opozitari për të rrëzuar Ramën.

Gjithçka tjetër lidhur me funksionet apo jo funksionet, unë kam qenë i mendimit që në nisje, që kur kam hyrë në politikë por edhe e kam shprehur në publik gjatë që nuk kanë rëndësi funksionet për të qenë kontributor. Secili kontribuon dhe duhet të kontribuojë pa pasur rëndësi sidomos kur aderon në një parti politike siç është PD por funksionet shërbejnë për të rritur më shumë kontributin apo performancën në emër të partisë. Kështu që këto janë mesazhet kryesore që vijnë nga kjo mbledhje e Këshillit, të gjithë pjesën tjetër të vendimmarrjes i takon votës së anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe gjykimi i takon demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë por besoj se lajmi duhet të jetë vetëm protesta.

U zhgënjyet që nuk e patë emrin në asnjë post drejtues?
Jo, thashë që nuk kanë asnjë rëndësi funksionet drejtuese, unë jam kandidat për kryesinë e PD-së dhe jam sekretar i grupit parlamentar. Por pa diskutim nuk ka rëndësi nëse luan pa top apo luan me intrigë, unë luaj me zemër dhe do të vazhdoj të kontribuoj fuqishëm edhe pa pasur asnjë funksion si demokrat i thjeshtë jo më që jam deputet dhe sekretar i grupit.

Kështu që lajmi duhet të mbetet tek protesta. Gjithçka tjetër e gjykon…

Kush ka luajtur me intriga?
Po them që gjithçka që flitet në publik për njerëz të pakënaqur apo që mund të kenë objeksione të ndryshme për këtë Këshill nuk besoj se janë të vlefshme sepse nuk ka rëndësi funksioni për të qenë demokrat për të shërbyer për demokratët, për të shërbyer për qytetarët.

Ju sapo folët për intriga?
Sepse kam parë reagime në publik nga njerëz të cilët me të drejtë në nisje të procesit mund të kenë pakënaqësitë e parë por që besoj do fashiten. Kështu që besoj që lajmi kryesor është protesta dhe përgjegjësitë që mban gjithsecili për organizimin e protestës. Lajmi në mendimi ne.

Keni diskutuar për një datë për protestën?
Është një vendimmarrje që i takon Kryesisë dhe besoj që do ketë komunikime nga ana e PD-së. Unë nuk kam tagër për të folur. Por u diskutua dhe Kryesia e PD-së do merret me organizimin. Kryesia e re.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb