Mëqënëse, për dreq, kisha harruar ftesën për t’u paraqitur në Komisionin e Medias për të dhënë mendime për projektligjet e qeverisë në lidhje me portalet dhe roja nuk më la të hyja, atëherë po botoj mendimet e mia për projektligjet.

Ja pikat e përgatitura që do të lexoja para komisionit të Medias:

Në mediat e shkruara dhe radiotelevizive nuk guxon të shpifësh apo të fyesh, pasi përfundon në gjykatë. Edhe për portalet duhet patjetër i njëjti standard, pa asnjë diskutim.

Por mëqënëse kemi ndër këto 28 vite eksperienca të këqija në raportet e qeverisë me median, duhet të jemi shumë të kujdesshëm se flitet për një pushtet të katërt, siç mbetet pushteti i medias.

Ndaj duhet që këto projektligje për median të rrëzohen dhe vetë komuniteti i gazetarëve të hartojë një projektligj për median e shkruar, radiotelevizive dhe për portalet. E përsëris, që duhet ligj në këtë fushë, bile i fortë, por jo nga qeveria. Jo se nuk e ka të drejtën kushtetuese qeveria për ta hartuar, por nuk ka të drejtën morale se ka përplasje të egra të qeverisë me analistë dhe gazetarë të njohur e që duket, në mos është, si një hakmarrje momentale inatçore.

Po ju them DUHET LIGJ edhe për portalet, por jo në këtë mënyrë e me këtë hov inati për ta nënshtruar median apo vendosur gjoba selektive, sepse nëse miratohet siç e keni sjellë, do të ndodhë pa asnjë hezitim, HAKMARRJA e pushtetit. Aq më tepër që autoriteti që vendos gjoba dhe bllokon është AMA, një institucion i kontrolluar nga qeveria (edhe qeveritë e tjera kështu do t’ju pëlqente)

Eksperienca më bën të jem dyshues dhe i kujdesshëm në këtë rast. E dini besoj, në mos ju e mban mend publiku, se gazetarë të gazetës KOHA JONE në kohën e qeverisjes së parë të PD-së janë arrestuar dhe burgosur gazetarë si Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka, e dini besoj se në kohën e kryeministrit Nano pati gazetarë dhe botues në ndjekje penale, ashtu sikurse dijmë se prapë në kohën e rikthimit të PD-së në pushtet gazetari Mero Baze u përsekutua brutalisht, apo së fundmi kryeministri aktual ka paditur analistin dhe gazetarin e njohur Ylli Rakipi.

Ndaj ju kërkoj të jeni të kujdesshëm, sepse nëse e miratoni siç i keni sjellë me ngut e inat mund të ndodhë që kur të bie nga pushteti PS-ja këtë ligj ta aplikojë opozita e sotme ndaj gazetarëve që janë afër PS-së.

Asnjëherë nuk kam besim te pushteti, sidomos në raportet e saj me median!

Pra futemi në rreth vicioz dhe spirale antidemokratike në raport me lirinë e fjalës.

Ndaj rrëzoni këto projektligje dhe lëreni KOMUNITETIT TË GAZETARËVE ta hartojnë, një ligj që duhet, realisht

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: