Koordinatori për Tiranën në Rithemelimin e PD, Klevis Balliu, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka komentuar zhvillimet e fundit në kampin e opozitës, duke u ndalur edhe te protestat e vazhdueshme.

Sa i përket tubimit të fundit që ndodhi para Parlamentit, Balliu u shpreh se disa prej protestuesve u thirrën në komisariatin e policisë pas veprimeve të tyre.

Këto të fundit sipas tij kanë qenë përgjigje ndaj “provokimeve nga patronazhistët” në protestat e zhvilluara.

Megjithatë, ai shtoi se shprehja e pakënaqësisë ndaj qeverisë do të vijojë dhe se nëse nuk do të ishte për efektivët e policisë “hajdutët do të nxirreshin nga institucionet e shtetit”.

“Sot në Parlament kemi një qeveri e cila në tërësinë e vet, ka bërë inceneratorët dhe narkotrafikun. Qytetarët po përballen me një qeveri kriminale që është e lidhur me bandat. Kjo nuk është e lehtë për t’u bërë. Nëse nuk do kishim mbështetjen e qytetarëve pas sulmeve ndaj opozitës ne nuk do të ekzistonim, nuk do të ishim këtu.

Pjesëmarrja në atë orar, në atë vapë, dhe kohëzgjatja…fakti që njerëzit erdhën dhe qëndruan e rezistuan vërteton dhe fakton se aksesi i qeverisë për shpifje ndaj opozitës ka dështuar. Kjo falë edhe dokumentarit të RAI3 që hodhi dritë.

Një grup personash u thirrën nga komisariati, kreu i degës 13 ishte shoqëruar. U njoftuam që duhet të paraqiteshim. Më bëri përshtypje sa shpejt evidentohen njerëzit që shtyhen në protesta. Nuk kishte krim. Na u thanë formalitetet, për të na vënë në dijeni dhe kërkuan një deklaratë nga ne. Ne kemi qenë dhe do të jemi sërish në protestë. Për sa kohë qeveria vijon kështu ne do bëjmë çmos për ta rrëzuar këtë qeveri. Ka raste që ka patronazhistë që provokojnë, jo efektivë. Një prej tre sulmoi protestuesit me fikësen e zjarrit që është helmuese. Nëse provokohen do të merret përgjigja.

Nëse nuk do ishin policët hajdutët do të nxirreshin nga institucionet e shtetit”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb