Holandë, ndalimi i duhanit në lokale ul lindjet e parakohshme

Një studim epidemiologjik i zhvilluar në vitin 2008 në Holandë, tregon se me ndalimin e duhanpirjes në restorante ka 5% rënie të lindjeve të parakohshme apo nënpeshë. Nga ky vit, në të gjitha baret dhe restorantet e Holandës duhanpirja është e ndaluar. Ndaj dhe nuk është rastësi, sipas studiuesve të Roterdamit, të cilët morën në shqyrtim fakte rreth lindjeve të 2 milionë fëmijëve. Nga ku rezultuan fakte vërtet bindëse se 5% e të sapolindurve ishin lindje të parakohshme apo nënpeshë. Sakaq, ka një rënie të numrit të grave shtatzëna që pinë duhan. Mirëpo përballë këtyre shifrave, studiuesit bëjnë të ditur se janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë ndikues, sikurse janë mosha e gruas shtatzënë, stili i jetës dhe faktori gjenetik. Sakaq, një tjetër studim i mbajtur në 2004 në Holandë nuk jepte të njëjtat rezultate mbi ndalimin e duhanpirjes në zyra po vende të tjera të punës. Përkundër kësaj, ky studim tregon se me ndalimin e pirjes së duhanit në këto ambiente, praktikisht në bare dhe restorante ka dy të dhëna tejet interesante: uljen e numrit të nënave që pinë duhan gjatë shtatzënisë dhe në përgjithësi uljen e numrit të njerëzve që pinë duhan në shtëpi. Për studiuesit bar-kafetë konsiderohen praktikisht si “laboratorë” për të studiuar stilin e jetesës. Ndalimi i duhanit në këto ambiente ka impakt jo vetëm në aspektin personal, por edhe në sjelljet dhe shëndetin e personave në përgjithësi. Përfundimisht, studimi nënvizon zyrtarisht se ndalimi i duhanpirjes në vendet publike është një ndër faktorët që ndikon në reduktimin e numrit të lindjeve të parakohshme dhe me probleme.

Prova të reja, mishi rrit shanset për kancer

Konsumimi i mishit duket se ka dy anë të medaljes, me gjithë përplasjet e herëpashershme edhe të vetë studiuesve së fundit, konsumimi i mishit risillet në vëmendje për shkak se “akuzohet” si faktor kancerogjen. Nga njëra anë janë studiuesit, që paralajmërojnë se një dietë e pasur me mish rrit probabilitetin për sëmundje kancerogjene dhe nga ana tjetër fermerët e BE-së, të cilët kanë nisur një fushatë për të mbrojtur konsumimin e mishit. “Përplasja”, ndonëse në distancë ka nisur pas publikimit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila deklaroi se mishi i kuq dhe ai i përpunuar bën pjesë në listën e produkteve kancerogjene. Instituti Amerikan i Studimeve mbi kancerin e Fondit Amerikan të Kërkimeve ka ripërsëritur rreziqet që i shkakton shëndetit konsumi i mishit të kuq. Fondi Amerikan i Kërkimeve ka konsultuar 89 studime të mëparshme dhe vlerësuar të dhënat e 17,5 milionë personave të rritur, prej të cilëve 77 mijë me kancer në stomak. Studimi nënvizon se ka më shumë shanse të kenë kancer në stomak, personat që pinë tre herë në ditë alkool, konsumojnë 50 gramë mish të përpunuar apo ushqime të konservuara me kripë. Edhe pesha ka ndikimin e vet, pasi shtohet rreziku me 23% për çdo pesë njësi të BMI (Indeksi i Masës Trupore). Studiuesit gjithashtu nënvizojnë se edhe konsumimi i peshkut në zgarë mund të kontribuojë në shtimin e riskut, ndërsa konsumimi i frutave, veçanërisht agrumeve, mund ta parandalojë. Këshilla kryesore mbetet ndjekja e rekomandimeve për parandalimin e tumoreve në përgjithësi. Kufizoni konsumin e alkoolit, maksimumi dy gota pije alkoolike për burrat dhe një gotë për gratë. Ushqehuni me një dietë të pasur me perime dhe fruta, duke evituar mishin e përpunuar (sallame, kremviçe etj). Mbani peshën tuaj nën kontroll. Të mos harrojmë se vetëm pak muaj më parë, në tetor të vitit të kaluar, mishi i kuq i përpunuar ishte produkti i kryesor i akuzuar si substancë kancerogjene, faktori kryesor për shtimin e rasteve me kancer, veçanërisht kancerin në zorrë. Etiketim që ka zemëruar shumë fermerët, të cilët në atë kohë kishin refuzuar akuzat dhe kishin kërcënuar me padi dhe tashmë edhe sot në Bruksel kanë paraqitur një iniciativë në favor të mishit. Një fushatë, e cila do të bazohet në dyer të hapura të kompanive, të cilat do të ndihmojnë në bërjen e recetave të shpejta dhe të lehta të demonstruara nga shefat, por edhe video të debateve në rrjetet sociale, broshura dhe konkurse fotografike. “Përfitimet ushqyese të konsumit të mishit të viçit, të qengjit, pulës, lepurit, deles, mishit të derrit dhe proteinat janë të qarta sepse ato u ofrojnë konsumatorëve futjen e shkëlqyer të proteinave në dietë”, shpjegon Martin Merrild, president i Shoqatës së Fermerëve Europianë duke vënë në dukje se bujqësia është gjithashtu e rëndësishme për ekonominë e zonave rurale, ku shpesh nuk ka alternativa punësimi”. Sakaq, nuk harrohet studimi i organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetit, e cila vetëm pak muaj më parë lëshoi alarmin se mishi i kuq i përpunuar mund të shkaktojë kancer.

Kujdes kolesterolin nëse flini pak

Mungesa e gjumit, jo vetëm që dëmton sistemin imunitar, metabolizmin e karbohidrateve dhe hormoneve që japin oreks, por edhe modifikon metabolizmin e lipideve dhe rrit rrezikun për arterosklerozë. Studiuesit e Universitetit të Helsinkut kanë evidentuar se orët e pakta të gjumit ndikojnë edhe te metabolizmi i kolesterolit dhe për pasojë edhe në shëndetin e enëve të gjakut. Rezulton se personat që flenë më pak gjumë seç duhet, përballem me risqe më të mëdha për të pasur sëmundje kardiovaskulare. Mungesa e gjumit ndikon në metabolizmin e karbohidrateve në të njëjtën mënyrë si diabeti. Studimi i fundit shqyrton ndikimin e privimit të gjumit në metabolizmin e kolesterolit, qoftë në aspektin gjenetik, po kështu sa u përket lipoproteinave në gjak. Për ta bërë këtë, ai përdori tri grupe të të dhënave: Një eksperiment të zhvilluar në laborator, të cilit iu nënshtruan 21 persona, gjumi i të cilëve u privua përgjatë një jave, dhe dy studime epidemiologjike me dy grupe personash, praktikisht 518 persona dhe 2221 të rinj. Ndryshe nga personat që bëjnë gjumë të bollshëm, të privuarit nga gjumi kishin një numër më të vogël të lipoproteinave HDL apo kolesterolit të mirë, si dhe aktivitet më të paktë të gjeneve që marrin pjesë në rregullimin e kolesterolit. Studiuesit theksojnë se të dy këta faktorë kontribuojnë në fillimin e arteriosklerozës dhe vetëm pas një jave gjumi të pamjaftueshëm fillojnë të shihen ndryshimet e para.

Një ilaç i vetëm kundër viruseve më të rrezikshme

Një ilaç i vetëm kundër të gjitha infeksioneve virale që sulmojnë proteinën, e cila përdoret nga viruset për t’u shumëfishuar. Këtë synojnë studiuesit e Universitetit të Sienës, të cilët kanë identifikuar molekulën që pengon proteinën njerëzore DDX3, me anë të së cilës “ushqeheshin” viruset. Studimi i drejtuar nga profesor Maurizio Botta, shef i departamentit të Bioteknologjisë, Kimisë dhe Farmacisë në Universitetin e Sienës, si dhe profesor Giovanni Maga i Institutit të Gjenetikës Molekulare, shpjegojnë se ky është një revolucion në fushën e shëndetësisë edhe për sa u përket terapive kundër viruseve. Profesorët shpjegojnë se përkundrejt ilaçeve të deritanishme që luftojnë viruset në mënyrë klasike, aktualisht synohet kalimi drejt një ilaçi unik që synon të zvogëlojë rolin e një proteine që viruset e përdorin për të sulmuar dhe shumëfishuar. Në krahasim me qasjen tradicionale terapeutike, terapia e re ka avantazhe të forta dhe të dukshme, pasi frenuesit e rinj janë të aftë kundër të gjitha llojeve të viruseve edhe atyre me mutacion, të cilët deri tani ishin rezistentë ndaj ilaçeve. Studiuesit synojnë që brenda pak vitesh të ketë një terapi të re të antiviruseve, krejtësisht më efikase se ato të deritanishmet.

Çokollata e zezë, doping natyral për sportistët

Çokollata e zezë, përveç 1000 virtyteve, rezulton të jetë edhe doping natyral për sportistët, pasi rrit rezistencën ndaj stresit dhe redukton konsumimin e oksigjenit. Studimi është publikuar në revistën shkencore “International Society of Sports Nutrition”, zhvilluar në Universitetin e Kingston-it në Londër. Pjesë e studimit u bënë disa çiklistë amatorë, joprofesionistë. Përgjatë gjithë studimit është mbajtur shënim performanca sportive e çiklistëve të përfshirë në studim. Gjysmës së pjesëmarrësve iu është kërkuar që për dy javë të konsumojnë rregullisht 40 gramë çokollate të zezë në ditë, ndërsa gjysmës tjetër të pjesëmarrësve iu është kërkuar konsumimi i rreth 40 gramë çokollate të bardhë. Pas dy javësh, të gjithë çiklistët u janë nënshtruar ekzaminimeve para performancës sportive, nga ku ka rezultuar se çiklistët që kishin konsumuar çokollatë të zezë kishin rezistencë trupore më të madhe ndaj sforcove dhe ia arrinin të bënin rrugë më të gjatë teksa konsumimin më pak oksigjen. Sipas studiuesve anglezë, sekreti i çokollatës së zezë qëndron në përmbajtjen e lartë me antioksidantë, veçanërisht flavanoid që rrisin prodhimin e një substance, siç është (oksidi nitrik), që favorizon zgjerimin e enëve të gjakut, duke reduktuar thithjen e oksigjenit gjatë performancës sportive. Mirëpo ajo që mbetet ende e paqartë, të paktën nga studimi, është fakti se kur nis ta japë efektin çokollata e zezë? D.m.th. mjafton të konsumojmë 40 gramë çokollatë të zezë para garave për të pasur rezultat, apo duhet të konsumojmë atë për disa ditë rresht, në mënyrë që të marrim përfitime edhe në performancën sportive.

(d.b/Mapo/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb