Një nga oligarkët më të pasur të Rusisë ka thënë se sanksionet nuk do ta pengojnë Vladimir Putin të vazhdojë me pushtimin e tij në Ukrainë, duke paralajmëruar Perëndimin se nuk po arrin të kuptojë se si funksionon pushteti në Moskë, raporton BBC.

Mikhail Fridman, pronari i Alfa Bank, i tha Bloomberg News se përpjekja për të detyruar oligarkët rusë të bëjnë presion mbi Putinin është një qëllim jorealist.

“Nëse njerëzit që janë në krye në BE besojnë se për shkak të sanksioneve, unë mund t’i afrohem zotit Putin dhe t’i them atij të ndalojë luftën dhe do të funksionojë, atëherë kam frikë se të gjithë jemi në telashe të mëdha.” tha Fridman.

“Kjo do të thotë se ata që po marrin këtë vendim nuk kuptojnë asgjë se si funksionon Rusia. Dhe kjo është e rrezikshme për të ardhmen.”

Fridman, i cili është sanksionuar nga Britania e Madhe dhe BE, tha se nuk ka gjasa që dikush në orbitën e Putinit të mund të diskutojë përfundimin e luftës me të.

“Distanca e fuqisë midis zotit Putin dhe kujtdo tjetër është si distanca midis Tokës dhe kozmosit”, tha Fridman. “T’i thuash ndonjë gjë Putinit kundër luftës, për këdo, do të ishte një lloj vetëvrasjeje.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: