Edhe këtë vit në kuadër të Ditës Botërore të Sindromës Down në Elbasan u zhvilluan aktivitete sensibilizuese me qëllim
që zëri i personave me këtë sindromë si dhe i personave që jetojnë apo punojnë me ta të bëhet edhe më i fortë. Aktivitetet e organizuara në këtë ditë synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për sindromën Down, e cila është e lidhur me një vonesë në aftësitë njohëse dhe rritjen fizike, të cilat i bashkëngjiten edhe disa karakteristika të fytyrës. Personat me sindromën Down gëzojnë të drejta të plota dhe të barabarta me gjithë të tjerët dhe kjo nënkupton mundësinë për pjesëmarrje të plotë në komunitetin e tyre. Gjithsesi realiteti tregon se prania e qëndrimeve negative kundrejt këtyre personave sjell pritshmëri të ulëta, diskriminim dhe përjashtim duke krijuar komunitete në të cilat fëmijët dhe të rriturit me sindromin Down nuk mund të integrohen në mënyrë të barabartë.
Në ato vende ku fëmijëve me sindromën Down u jepen mundësi për pjesëmarrje, duke krijuar mjedise shoqërore, pranuese, respekti dhe pritshmëri të larta, të cilat rezultojnë të jenë shumë efektive për këta persona.
Jo vetëm kaq, por këto mjedise u mundësojnë fëmijëve me sindromën Down të jetojnë dhe të punojnë me besimin në autonominë individuale, të përfshirë plotësisht në shoqëri së bashku me moshatarët e tyre. Besnik Lushnjari, prind i një 21 vjeçareje me sindromën Down tregon se vështirësitë e kujdesit për të janë të jashtëzakonshme. Edhe pse vajza e tij Kristina është 21 vjeçe ajo aktualisht është në klasën e tretë për shkak të zhvillimit shumë të dobët mendor. Terapia e të folurit nuk ka funksionuar. Ajo irritohet shpejt. Ka sjellje që krijojnë probleme te të tjerët. Ka vështirësi në të ngrënë, në të veshur, në të kuptuar e plot probleme të tjera. Pra një jetë mjaft e vështirë për të dhe për prindërit e saj. Ndërkohë, Rezarta Biçoku, drejtore e Shkollës Publike Speciale “Zëra Jete” në Elbasan tregon për punën e jashtëzakonshme që bëhet në institucionin arsimor që ajo drejton e cila është një shkollë dedikuar plotësisht fëmijëve me nevoja të veçanta. Sipas Biçokut pavarësisht gjithçaje që është bërë për këta fëmijë mbeten ende shumë për tu bërë për ta. Kjo shkollë i ka hapur dyert që në vitin 1983 si një shkollë për fëmijë me çrregullime të lehta fizike dhe mendore. Aktualisht problematikat janë shtuar dhe nga viti në vit numri i fëmijëve me sindromën down dhe autikë është rritur ndjeshëm dhe duhet përmirësuar infrastruktura ku ata mësojnë si edhe stafi duhet plotësuar me fizioterapist, psikolog klinik etj. Në këtë Ditën Botërore për të promovuar diversitetin, pranimin dhe dashurinë pa kufij, klubet studentore të UMT u bënë pjesë e eventit që u zhvillua në Parkun Rina në Elbasan duke sjellë energjinë dhe kreativitetin e tyre për të përcjellë një mesazh të fuqishëm: “Çdo individ është unik dhe ka vlerë të paçmuar në shoqërinë tonë”.
Sonila Daiu, Dekane e Studentëve në UMT, u shpreh e lumtur dhe krenare për angazhimin e studentëve në mbështetje të kauzave të tilla që promovojnë përfshirjen dhe barazinë. Ne tha Daiu do të vazhdojmë të ndërtojmë një komunitet ku të gjithë ndihen të pranuar dhe të vlerësuar.