TIRANE- Kreu i Departamentit të Emigracionit dhe Diasporës, Bardh Spahia deklaroi sot se Shqipëria është kthyer vend i azilkërkuesve.

“Shqipëria është kthyer vend i azilkërkuesve. Mbi 100 mijë bashkëqytetarë kanë lënë vendin për të kërkuar shpëtim në Gjermani, dhe në vendet e tjera të BE, e po ashtu dhe 200 mijë te tjerë kanë aplikuar për të ikur në SHBA, të shtyrë nga keqqeverisja, korrupsioni dhe krimi i Edi Ramës që ka çuar vendin në humnerë.”, tha Spahia.

Ndër të tjera ai shtoi se në ditën ndërkombëtare të emigrantëve, minimalisht qeveria duhet të kishte detyrimin ligjor të dilte me statistika zyrtare për këtë eksod masiv dhe jo të manipulonte publikun kombëtar e ndërkombëtar, se shqiptarët që braktisin vendin i përkasin emigrantëve të Greqisë dhe Italisë.

“Ka vetëm një të vërtetë për eksodin dhe azilkerkuesit dhe, ajo është skamja dhe dëshpërimi që ka mbjellë kjo qeveri dhe kjo mazhorancë e krimit. Fatkeqësi që vendin e kanë lënë të rinjtë dhe shqiptarët me energji pune, të cilët nuk shohin shpresë për jetë normale në atdhe. Ka vetëm një rrugë për shpëtim, largimi i qeverisë dhe hapja e rrugës për një qeverisje të re që sjell shpresë, besim, mundësi për punë e zhvillim për secilin në vendin tonë.”, përmbylli Bardh Spahia.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: