Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është pritur me entuziazëm sot në Gjirokastër. Nën thirrjet “Rama ik”, gjirokastritët iu përgjigjën pozitivisht ftesës së tij, për të marrë pjesë në protestën kombëtare të 11 Majit.

Që të kemi një Shqipëri si gjithë Europa, Basha tha se ka ardhur koha që qeverinë ta marrë mazhoranca e re morale dhe politike.

“E nis këtë takim me mirënjohjen më të thellë për këtë pritje të jashtëzakonshme, të paprecedentë. Nga Krasta, Memaliaj, Teleena, nga hyrja për në Përmet, Këlcyrë e Gjirokastër qindra automjete, qindra qytetarë, të rinj e të reja mbanin në duar simbolet tona, flamurin e PD, BE , SHBA atë të NATO-s, simbolet e shqiptarëve të lirë që besojnë tek demokracia. Sot është 9 Maji, dita e Europës, nga Gjirokastra, kjo energji frymëzuese për kauzën tonë të drejtë e të madhe i thotë çdo shqiptari se ky komb është i bashkuar dhe i vendosur për Shqipërinë si gjithë Europa. Me këtë ëndërr nisi kryengritja studentore 30 vite më parë, me këtë ëndërr u krijua PD 30 vite më parë. Kush më shumë se ju ka qënë dëshmitar i sakrificave të eksodit drejt Greqisë. Të gjithë i dinë vuajtjet dhe rropatjet e shqiptarëve. 30 vite rendje drejt Europës, 30 vite për të shkuar në Europë. Gjithsecili prej këtyre hapave është marrë nga PD, që nga anëtarësimi në NATO, heqja e vizave me BE dhe marrja e rekomandimit. Sot edhe njëherë po na thërret në skenën e veprimit të madh politik Shqipëria dhe vokacioni jonë demokratik. Thirrja ime e parë ndaj jush, e gjithë qytetarëve është të bashkohemi më 11 Maj për Shqipërinë si gjithë Europa. Ëndrra jonë e papëprmbushur është dhe mbetet objektivi kryesor, i mazhorancës së re morale, dhe politike në Shqipëri”,- tha ai.

Kryedemokrati shtoi ndër të tjera se beteja e opozitës bëhet për të drejtat, parimet dhe vlerat europiane. Ai shtoi se, mesazhi i Berlinit për Ramën ishte i qartë edhe sot në Ditën e Europës.

“S’ka Europë për vendet që nuk kanë votë të lirë, ku dominon krimi, ku të pafajshmit burgosen, përdhunohen e shantazhohen, në një vend ku qeveria është bërë njësh me krimin, ka kapur Parlamentin, ka shkatërruar zgjedhjet, iu ka dhënë kriminelëve dhe oligarkëve të gjitha pasuritë. Mesazhet ishin të qarta dhe të prera në këtë Ditë të Europës nga Berlini, se pa u dënuar politikanët që vodhën zgjedhjet e vitit 2017, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat. Kjo është e vërteta dhe jo ajo që thotë Edi Rama. Kjo është e vërteta, e zeza mbi të bardhë”,- tha ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb