KOSOVE- Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar shqiptarët me rastin e festës së Flamurit. Në këtë mesazh, drejtuar qytetarëve shqiptarë dhe gjithë bashkëkombësve, Haradinaj është shprehur se ‘duke kujtuar të kaluarën dhe duke parë të sotmen dhe sfidat që kemi para nesh, ne, për asnjë moment nuk duhet të ndihemi mjaftueshëm, por të marrim më shumë motiv në punën dhe angazhimet tona.

“Kam kënaqësinë të ndajë me të gjithë ju ndjenjën dhe reflektimin tonë të përbashkët, që përherë na shfaqen në atmosferën e festës sonë të shumëfishtë kombëtare, 28 Nëntorit. Në këtë moment ne kujtojmë sakrificën e shumë gjeneratave para nesh dhe të gjeneratave më të vonshme, për lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin tonë nacional. Nderojmë veprën e të rënëve dhe reflektojmë, gjithsesi, në punën dhe angazhimet tona, në përgjegjësinë që kemi për të sendërtuar më tutje ëndrrën dhe idealet për të cilat ata ranë”, ka thënë Haradinaj në këtë urim me rastin e Ditës së Flamurit.

Më tej, kreu i AAK-së ka shtuar se të dyja vendet kanë përgjegjësinë për të çuar përpara dy shtetet për të vijuar atë që lanë të gjithë ata që luftuan dhe ranë për këtë ditë. “Lavdia u takon të rënëve, e përgjegjësia është e të gjithë neve, për t’i ndërtuar e fuqizuar dy shtetet tona, duke çuar më tej përpara idealin për të cilin ranë bijë dhe bija, prej më të mirëve të kombit tonë, në kohë, hapësira e përpjekje të ndryshme”, ka thënë Haradinaj në këtë urim me rastin e Ditës së Flamurit”, është shprehur Kreu i AAK, Ramush Haradinaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb