Sot është Dita Ndërkombëtare e Maleve, e cila u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 11 dhjetor të vitit 2003 dhe vuri në dukje nevojën e ndërgjegjësimit të vazhdueshëm mbi rëndësinë e maleve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit të tyre për të ruajtur cilësinë e jetës së njerëzve.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale thekson se këtë ditë ia kushtojmë maleve “si thirrje për të kujtuar rëndësinë e tyre në ruajtjen e balancave të natyrës dhe mirëqenien e komuniteteve që jetojnë në to”.
Kumbaro nënvizon me tëj se “këtë vit Ditën e Maleve e kremtojmë edhe me rregulloren e re “Për Standardizimin dhe Administrimin e Shtigjeve Turistike” që bashkon angazhimin institucional me përpjekjet e guidave lokale për zhvillimin e ekoturizmit dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë”.
Dita Ndërkombëtare e Maleve rrit ndërgjegjësimin për kërcënimet me të cilat përballen. Ruajtja e tyre është faktori kyç për zhvillimin e qëndrueshëm. Për shkak të ndryshimeve klimatike dhe mbishfrytëzimit, malet janë nën kërcënim. Ruajtja e maleve është një faktor vendimtar.