TIRANË

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini duket se ka thyer rregullin e përvitshëm të urimit për festën e Mësuesit. Ndryshe nga vizitat në shkolla, duke uruar drejtpërdrejt mësues e nxënës, ministrja e re e arsimit ka zgjedhur të uroj përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale.

Në falënderimin e ministres Shahini, vend të veçantë kanë mësuesit ndihmës, të cilët iu shërbejnë fëmijëve me nevoja të veçanta.

Ministrja ka edhe një mesazh  për mësuesit e gjimnazeve dhe sfidat që ata kanë për të përgatitur maturantët në provimet e maturës.

Mesazhi i plotë:

Të dashur mësues! Ne zakonisht iu drejtohemi ose për ndonjë njoftim për ndonjë nismë të re ose  ndonjë kërkesë, kryesisht për zbatimin e nismave që kemi marrë. Por sot është ndryshe. Po iu drejtohemi thjesht për t’ju falënderuar për punën që e bëni me përkushtim dhe për sakrificën e madhe dhe të përditshme që bëni për arsimimin e brezave të rinj. Dua veçanërisht të falënderoj mësuesit e kalesave kolektive . Punoni në kushte të vështira me nxënës të moshave të ndryshme duke u munduar dhe  përpjekur që ju jepni më të mirën  nga ju dhe më të mirën nga arsimi shqiptar.

Dua të falënderoj mësuesit ndihmës, që luajnë një rol  të jashtëzakonshme në jetën e fëmijëve me nevoja të veçanta, të cilët në duam që të arrijnë  potencialin e vet maksimal brenda sistemit arsimor shqiptar. Dhe një falënderim të veçantë për mësuesit e gjimnazeve. Sivjet, ashtu si çdo vit tjetër keni punë me maturantë të menaxhoni ankthin e tyre jo vetëm për testin e maturës, por edhe për të ardhmen e tyre. Një falënderim i veçantë për ju dhe gëzuar 7 Marsin!

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb