NGA MIRA BREGU, OKB, GJENEVE

Në këtë Ditë të ndërgjegjësimit ndaj abuzimit mbi të moshuarit* – 15 qershor, ekspertja e Kombeve të Bashkuara mbi zotërimin e të gjitha të drejtave të njeriut nga personat e moshuar, Rosa Kornfeld-Matte, paralajmëron se në mbarë botën ndërmerren veprime të pamjaftueshme për ndalimin e abuzimit ndaj më të moshuarve.

Ajo sot bëri thirrje për të gjithë, që nëse dyshojnë mbi raste të abuzimit ndaj të moshuarve, ta raportojnë menjëherë këtë shkelje të përhapur dhe serioze ndaj të drejtave të njeriut dhe atyre të të moshuarve.

“Një në dhjetë të moshuar përjetojnë abuzime çdo muaj. Kështu që, nesër mund të jesh edhe ti”, theksoi ajo.

Abuzimi ndaj të moshuarve ndodh gjithkund në kuadër institucional, por shpesh edhe në shtëpi, dhe kjo ndikon në personat e vjetër përmes të gjitha grupeve socio-ekonomike. Manifestimet përfshijnë dhunën fizike, seksuale apo emocionale, braktisje dhe neglizhimi, si dhe shfrytëzim financiar ose material.

Një nga arsyet për mungesën e veprimit është se shumica e njerëzve preferojnë të mos e mendojnë vetveten si të dobët dhe të varur, ndaj dhe nuk ndihen të shqetësuar apo të mendojnë se ka lidhje me ta. Për të tjerët, mund të jetë e pakonceptueshme që të afërmit e tyre sot – të dashurit e tyre – mund të jenë autorët e së nesërmes.

Të moshuarit në fjalë, ata të cilët janë të penguar fizikisht, të lënë në rroba të ndotura, të mbingarkuar me ilaçe dhe të neglizhuar emocionalisht, nuk mund të flasin, se kanë frikë ndaj hakmarrjes ose duan t’i mbrojnë të afërmit e tyre nga krimet e persekucionit (ndjekje penale).

Shumicat e rasteve të abuzimit ndaj të moshuarve anashkalohen pa u vënë re dhe shifrat e përhapjes- zakonisht nënvlerësohen. Prandaj është e domosdoshme të vazhdojmë rritjen e ndërgjegjësimit për të ndihmuar parandalimin e rasteve abuzive dhe të sigurojmë që rastet që ndodhin, të raportohen menjëherë!

Në Ditën e Ndërgjegjësimit ndaj Abuzimit mbi të Moshuarit, unë kërkoj për të gjithë dhe nga të gjithë ata që dyshojnë edhe vetëm një rast të abuzimit mbi të moshuarit: të raportojnë pranë organeve përkatëse. Pra, raportoni mbi shqetësimet tuaja!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: