ELBASAN- Me rastin e 14 Marsit, Ditës së Verës, deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ishte në Elbasan ku vizitoi panairin e ngritur me rastin e ditës së verës, ndërsa ka uruar gjithë shqiptarët.

E shoqëruar nga Sekretari për Programin në LSI, Edmond Haxhinasto, deputetja Kryemadhi shprehu urimin e saj për të gjithë shqiptarët duke shtuar se atmosfera të tilla festash duhet të jenë të përditshme në vend.

“Përfitojmë nga rasti në këtë qendër graviteti të ‘Ditës së Verës’ siç është Elbasani, t’i urojmë të gjithë shqiptarëve gëzuar Ditën e Verës, që është në një farë mënyrë një ringjallje e të mirës, e jetës dhe uroj që ky vit të jetë një vit i ringjalljes për çdo të mirë dhe begatinë e shqiptarëve. Unë do të kisha shumë dëshirë që kjo atmosferë të jetë përhershme, të mos jetë vetëm “Ditën e Verës”, por të vazhdojë gjithmonë dhe njerëzit ta gëzojnë jetën, sepse fundja kjo është një nga gjërat më të bukura që kemi për detyrë të bëjmë”- tha Kryemadhi.

Deputetja e LSI-së theksoi gjithashtu se pjesë e këtij panairi ishin të rinjtë e gjimnazeve të Elbasanit duke shtuar se për idetë inovatore të rinisë duhet dhënë më shumë mbështetje.

“Ajo që më bëri më shumë përshtypje këtë radhë ishin dy stendat e gjimnazeve, të cilat kishin bërë produkte shumë të mira dhe kjo do të thotë, që të rinjtë sidomos, kanë dëshirë për të prodhuar, për të krijuar bizneset e tyre dhe ne kemi një detyrë që t’i japim shansin atyre për ta zhvilluar këtë biznes” – theksoi deputetja Kryemadhi.

Sekretari për Programin, Edmond Haxhinasto, u shpreh me shumë pozivitet ndaj nismës së marrë nga të rinjtë e Elbasanit duke shtuar se këto nisma duhet të kenë mbështetjen e duhur. “Ajo që vë re mbas shumë vitesh është se tashmë po ekspozohen në stenda edhe idetë e të rinjve që është një gjë e jashtëzakonshme. Aty kishte disa inovacione të jashtëzakonshme nga të rinjtë e shkollave të mesme të Elbasanit, gjë që është shumë pozitive. Jam i bindur se ky inovacion dhe kjo dëshirë për të prodhuar, për të gjeneruar gjëra të reja, gjëra pozitive do të vazhdojë pasi Elbasani ka një traditë të jashtëzakonshme, një qytet i jashtëzakonshëm me traditë e jashtëzakonshme në fushën e arsimit, të kulturës dhe të inovacionit. Unë me këtë mesazh dua të përsëris edhe një herë gëzuar ditën e verës të gjithëve ju këtu dhe përmes jush gjithë qytetarëve të qarkut të Elbasanit”,- tha Haxhinasto.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: