TIRANE – Pas zgjedhjes së datës së zgjedhjeve me 25 qershor, datë e cila përkon edhe me festën e ‘Bajramit të Madh’, myftiu i Tiranës Ylli Gurra ka kërkuar që muaji i Ramazanit të jetë sa më komunikativ dhe i paqtë, si nga ana e qytetarëve ashtu dhe nga ana e politikanëve.

Myftiu bëri një deklaratë për shtyp për t’i bërë thirrje opinionit dhe klasës politike për më shumë gjakftohtësi, maturi dhe për ngritjen e urave të komunikimit e dialogut.

“I bëj thirrje të gjithë opinionit shqiptar, dhe klasës politike për gjakftohtësi e maturi, për ngritjen e urave të komunikimit e dialogut, për qetësimin e situatës që kishte kapluar vendin. Komuniteti Mysliman kërkon të kthejë në vëmendje kërkesën për të pasur një proces zgjedhor të lirë, të qetë e të sigurtë, me atmosferë paqësore. Dita e Bajramit të madh mendohet të jetë më 25 qershor, e shoqëruar me datën e zgjedhjeve, ku ne do të japim mesazhin tonë, ndjejmë detyrimin që atmosferën para Ramazanit, përgjatë të gjithë muajit të tij, që do përkojë dhe me fushatën zgjedhore, të kërkojmë nga çdo besimtar e besimtare të jenë të kthjellët e të përkushtuar për përcjellen e Ramzanit ashtu si i ka hije dhe i drejtohemi e klasës politike që gjatë këtij muaji të begatë të jenë të kujdesshëm, të matur, të krijohet atmosferë paqësore brenda kornizave njerëzore, kundrejt Ramazanit, si e drejtë fetare dhe ligjore”, – tha Gurra.

Myftiu i Tiranës gjithashtu tha se zgjedhja e datës së votimit në ditën e festës së Bajramit nuk përbën asnjë problem apo të ushqejë ndonjë tendencë.

“E drejta e të votuarit, e përzgjedhjes së atyre që do marrin përgjegjësinë e drejtimit të vendit është përgjegjësi historike e qytetare. Besimtarët e këtij vendi të vendosin më 25 qershor për fatet e tyre dhe për atë elitë politike që do marrë votëbesimin nga po këta qytetarë. Në kornizën fetare, përkimi i datës së zgjedhjeve dhe datës së Bajramit nuk ka arsye që të ushqejë asnjë tendencë”, – tha Gurra.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb