“Duhet të mendojmë të gjithë në këtë drejtim, që të kemi një shoqëri më të shëndetshme. Nuk mund të jetë zgjidhje as nxitja e kanabisit apo forma e “aventura” të tilla, që e dimë se sa shumë i kanë kushtuar vendit dhe familjeve shqiptare.” – mesazhi vjen nga kreu i shtetit Ilir Meta gjatë vizitës në një biznes social në të cilin janë punësuar 00 vajza dhe gra të zonës së Mulletit dhe Petrelës.

Në këtë vizitë kreu i Shtetit shoqërohej nga Shkëlzen Marku i Fondacionit “Yunus Social Business Albania” dhe nga përfaqësues të Ambasadës së SHBA dhe të USAID-it.

Meta vuri në dukje se Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë duhet të na shërbejë si një reflektim dhe “kambanë alarmi” për të gjithë, për më shumë përpjekje në luftën kundër kësaj plage të madhe të njerëzimit dhe shoqërisë tonë moderne.

Kreu i Shtetit theksoi se mbështetja e këtij sektori është zgjidhje për të luftuar varfërinë dhe për t’i larguar shqiptarët nga veset e këqija.

“Duhet të mendojmë të gjithë në këtë drejtim, që të kemi një shoqëri më të shëndetshme. Nuk mund të jetë zgjidhje as nxitja e kanabisit apo forma e “aventura” të tilla, që e dimë se sa shumë i kanë kushtuar vendit dhe familjeve shqiptare. Janë mijëra njerëz që janë nëpër burgje, strese pa fund, e shkatërrime familjesh që ka prodhura ky fenomen. As bastet nuk janë zgjidhje për të shpëtuar nga varfëria, por vetëm puna e qëndrueshme, me standarde, me përgjegjshmëri të tillë sociale që ne duhet ta nxisim më shumë duke motivuar dhe duke mbështetur ata investitorë të cilët e tregojnë këtë me shembuj konkretë.

Lufta kundër varfërisë, nuk zgjidhet as me një thes me miell. Natyrisht çdo kontribut, çdo bamirësi është pozitive, por rruga e sigurtë dhe e qëndrueshme është rruga e integrimit në tregun e punës.

Kjo është e vetmja rrugë që secili të ketë një jetë të qetë, një jetë të sigurtë dhe të kontribuojë për zhvillimin ekonomik të familjes së tij dhe komunitetit ku bën pjesë. – u shpreh Meta.

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb