TIRANE
“Ditari i Ana Frank” është një vepër universale, pavarësisht se ka ndodhur në Luftën e Dytë Botërore, 60 vjet më parë. Vepra tregon historinë e një vajze hebreje, e cila bashkë me familjen e saj u ngujuan dy vjet në një papafingo.
Teatri i Metropolit sjell në shqip “Ditarin e Ana Frankut”. Bëhet fjalë për një shfaqje të regjisores Armela Demaj dhe ka një kast të madh aktorësh, mes të cilëve spikasin dy personazhet kryesorë. Roli kryesor interpretohet me mjaft sukses nga gjimnazistja Vanesa Guri. Ashtu si Ana edhe Vanesa është 15 vjeçe.
Gjithashtu rol tjetër parësor ka edhe aktori Myzafer Zifla, i cili luan rolin e babait të Anës.
Të ftuar në emisionin “Chic” të Fjodora Dorës në News24 Vanesa Guri dhe Myzafer Zifla flasin për dramën e famshme botërore dhe si është sjellë ajo në Teatrin e Metropolit.
Do të flasim sot për një shfaqje e cila sapo dëgjon titullin e saj nuk është e panjohur. Edhe nëse nuk e kanë lexuar librin padyshim që kanë dëgjuar për të ose kanë parë filmin. Për herë të parë kjo vepër vjen ne një teatër profesionist në Shqipëri. Ti ke një rol delikat, të rëndësishëm por dhe me shumë dramë brenda, atë të babait të Ana Frank. Na thuaj diçka në lidhje me rolin tënd por dhe si e ke përjetuar historinë e Ana Frank.
Personazhi quhet Oto Frank dhe shihet nga sytë e Anës. Ai është personi perfekt, që nuk ka asnjë të metë dhe adhurohet nga e bija. Këtu qëndron dhe vështirësia e rolit, por është dhe shumë i thellë.
Është personazh i jashtëzakonshëm që mbajti me kurajo dy vjet familjen e tij për sa kohë qëndruan të ngujuar në papafingo. Drama që ndodh është pikërisht shndërrimi i tyre personave nga aristokratë në ordinerë sepse jeta e izoluar i bën të nxjerrin instinktet e tyre. Ata kanë shumë vështirësi, për t’u ushqyer, për të jetuar dhe nxjerrin anën e tyre më negative. Është një dramë shumë komplekse, por personazhi që interpretoj qëndron deri në fund një personazh pozitiv, gjithmonë kjo e parë nga sytë e vajzës së tij 15-vjeçare.
Po për sa i përket dramatizimit, çfarë do të sjellë nga ana teatrore?
Këtu është dhe rreziku, vështirësia e saj sepse në letërsi çdo njeri lexon sipas mënyrës së tij dhe krijon një imazh për personazhin. Dhe është e vështirë pastaj kur e sheh të realizuar në një person real domethënë tek një aktor. Personazhi mund edhe të mos pëlqehet fare dhe ky është rreziku si në teatër ashtu edhe në kinema. Në të tregohet drama e tmerreve, holokausti që kanë përjetuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është dhe kujtesa që ne kemi, sepse komunizmi nuk ka qenë më i lehtë. Ai nuk merrte parasysh racën, por thjesht nuk donte asnjë racë. Kur merresh me një punë patjetër që duhet të lexosh sa më shumë për hebrenjtë, për raportin e tyre me nazistët, me Hitlerin.
Marrëdhënien kryesore e ke me një vajzë, e cila është vetëm 15 vjeçe ashtu siç ishte dhe Ana Frank. Kjo është dhe eksperienca e parë e saj në teatër.
Është pak e vështirë të punosh me një aktor jo profesionist sepse sinqeriteti dhe naiviteti i bën më shumë të kulturuar. Dhe Vanesa është e tillë e sinqertë, e beson vërtetë atë që thotë dhe kjo është vështirësia me të. Ajo është e preferuara e babit por përpos të gjitha vështirësive neve do t’ia dalim.
Tani mund të na thoni me pak fjalë për angazhimet e tua të tjera.
Ky vit ka qenë shumë i mbarë por dhe pak i vështirë sepse duke kaluar nga një rol në një tjetër se frikë se mos i bën të dy njësoj. Roli i Oto Frank ishte ai që më tërhoqi se nuk e isha bërë ndonjëherë. Sapo ma propozuan thashë direkt “PO”.
Intervista me Armelën
Ke marr diçka të bukur por dhe shumë të vështirë. Ti ke rolin e një vajzë 15-vjeçare po aq sa edhe ti. Si të përzgjodhi regjisorja? Si ishte takimi i parë me të?
Ishte një audicion këtu në ‘Teatrin e Metropol’. Ishte thjesht një rastësi, kur mora vesh për këtë audicion dhe thashë ta provoja sepse e njihja shumë mirë historinë e Ana Frank. Duke pasur eksperienca me aktrimin kisha shumë dëshirë ta provoja. Isha shumë e emocionuar sepse të gjithë kandidatët e tjerë kishin mbaruar Akademinë e Arteve dhe mua më dukej vetja e pashpresë. Megjithatë shkova dhe e provova. Pas dy javëve mora vesh që kisha fituar.
Ti je në shkollë?
Po, jam në vit të parë në gjimnazin Eqerem Çabej.
E ke lexuar librin “Ditarin e Ana Frankut”?
Po e kam lexuar para dy vitesh. E kishim detyrë në shkollë që ta lexonim dhe rashë menjëherë në dashuri me të. E kam lexuar tre herë deri më sot.
Cfarë të pëlqen më shumë te Ana Frank, çfarë të tha regjisorja për të qenë sa më natyrale në këtë shfaqje.
Unë dhe Ana kishim shumë të përbashkëta. Ana ishte vajza më rebele, guximtare, dashuronte jetën dhe jao që më kërkoi regjisorja ishte që të isha sa më natyrale.
Është një shfaqje e gjatë rreth dy orë, arrin ta mbash mend të gjithë tekstin?
Kemi punuar shumë fort, në fillim ka qenë vështirë por tani jam gati për premierën.
Si është marrëdhënia jote me Myzaferin, i cili në këtë rol është babai jot. Si keni arritur ta ndërtoni këtë marrëdhënie skenike?
Ka qenë shumë e thjeshtë, më ka mbajtur shumë afër si vajzën e vet.
Ndjehesh e kënaqur, e frikësuar?
Po kam frikë, por meqënëse kam punuar shumë fortë, nuk do të jetë e vështirë.
Kush është suporti yt më i madh?
Motra ime, që beson shumë tek unë. Pas saj është regjisorja që më ka ndihmuar dhe mbështetur.
(er.cu/BalkanWeb)