Ilir Keko ka botuar “Ditarin e një kinoregjisori”, një libër ku përmblidhen kujtimet e të atit, Endri Keko, me rastin e 100 vjetorit të lindjes. Shënime dhe imazhe, dëshmi dhe rrëfime përbëjnë njëherësh edhe një dokumentim të kohës në të cilën Keko jetoi.
“Kam qenë në dilemën e madhe mes jo-së dhe po-së, sepse sa herë e ktheja kokën nga ditari, gjithnjë mendoja a është e përgatitur shoqëria shqiptare psikologjikisht dhe politikisht për ta pranuar kohën e komunizmit me të vërtetat e saj”, tha Ilir Keko.
Me filmit e poezisë, familja Keko shënoi kontribute domethënëse në shoqërinë shqiptare të dy sistemeve. E ndërsa shumë artiste gra, qëndruan në hije duke iu lënë dritën bashkëshortëve, Xhanfise Keko pati gjithnjë mbështetjen e tij për tu bërë emri që ishte.
“Në këtë familje, krijohet një koncept autentik për ekzistencën e dinastisë sepse të gjithë pjesëtarët e kësaj familjeje janë të një kontributi me rezonim gjithëkombëtar, dhe më shumë se aq”, tha publicisti Aleksandër Çipa.
“Është meritë e Endri Kekos dhe ndoshta e nënës së tij që i hapën udhët dhe i krijuan mundësitë një regjisoreje si Xhanfise Keko. Endri u privua nga punët e rëndësishme dhe i kushtoi shumë vëmendje e përkujdesje bashkëshortes së tij”, tha Milkani.
Regjisori Milkani vuri në dukje tipare të karakterit njerëzor të Kekos duke ia atribuuar atij edhe lirinë.
“Kur e pyeti Ramiz Alia për mua më 1973, i thotë çfarë mendon ti për Milkanin, sepse Ministria ka dërguar letër në KQ që Milkani të dënohet penalisht se ka dëmtuar Kinostudion, përgjigja e Endrit bëri që unë të qëndroja në Kinostudio”, tha Milkani.
I vlerësuar me çmime edhe jashtë vendit, me disa filma dokumentarë por edhe filma artistikë, Keko punoi me emra të njohur artistësh të kohës, duke nisur nga Dritëro Agolli.