Armando Dobra ka përfunduar në epiqendër të merkatos në Angli, pasi shumëkush mendon se ish-sulmuesi i Shpresave kuqezi, meriton më shumë se kategorinë e katërt ku aktivizohet aktualisht me Çestërfilld.
Ai ka qenë një nga protagonistët e ngjitjes së kësaj skuadre në kategorinë e katërt dhe kthimit të saj në pretendente për ngjitjen një kategori më lart. Por pikërisht forma që po tregon, ka zgjuar interesin e klubeve më të rëndësishme.
Stokport Kaunti, skuadra që renditet e katërta në kategorinë e tretë angleze dhe ka synime për ngjitjen në kategorinë e dytë, Championship, ka shfaqur interes konkret për transferimin e lojtarit i cili ka një kontratë me klubin aktual deri në verën e vitit 2026. Merkatoja e futbollistëve në Angli mbyllet në mesnatën e të hënës, ndaj për Dobrën dy ditët e radhës do të jenë vendimtare për karrierën e tij, pasi mund ta shtyjnë të bëjë hapin cilësor.