Kreu demokrat Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e 34-vjetorit të themelimit të PD-së, tha se më 23 dhjetor qytetarët do të dalin në mosbindjen civile më të fuqishme.

Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen mosbindjes civile, duke theksuar se vetëm sëbashku do të përzëmë këtë regjim.

“Njerëzit do na mbështesin sepse ne u provuam shqiptarëve se nuk shitemi, por në thelb qëndrojmë shqiptarë të vërtetë. Si mik do t’u them një fjalë, në çdo vështirësi që të vini, kurrë mos harroni se po qe se duhet të shohim galerinë e heronjve, nuk ka komb tjetër me heronj si ne. Ndaj dhe duhet të ndjehemi krenarë me qenien tonë shqiptarë. Ku ka bota një Skënderbe? Ku ka bota një Adem Jashar? Ku ka lëvizja një Azem Hajdar? Kurrë mos u dorëzoni. Kurrë mos i jepni!”, tha Berisha.

Në vijim ai theksoi se shqiptarëve i kemi provuar se nuk përkulemi, por më kryesorja ne i kemi frymëzuar shqiptarët.

“Ne i frymëzuam shqiptarët se luftuam ndonëse kishim kundër narkoshtetin, mafien e perandorisë së Sorosit, mediat e kontrolluara, drejtësinë si degë ekzekutive dhe bandat e qeverisë.

Ne frymëzuam shqiptarët se qëndruam 330 ditë dhe nuk u dorëzuam.

Dhe kur nuk dorëzohesh, edhe një rrugicë pa drita mund ta kthesh në një prozhektor dritash dhe shprese për mbarë vendin.

Kur nuk dorëzohesh edhe një dritare mund ta kthesh në armën më të fuqishme kundër kundërshtarit të lig që nuk njeh normë as moral.

Mund ta kthesh në një portë ferri për të keqen dhe të fitosh.

Prandaj dhe Rrugën e Shpresës, dritaren e katit të tretë, me qëndresën tonë të përbashkët, i shndërruam në burim frymëzimi për shqiptarët, në makth të tmerrshëm për narkoqeveritarët.

Prandaj PD do të shpëtojë Shqipërinë vitin tjetër sepse ne nuk dorëzohemi kurrë për dinjitetin njerëzor.

Kemi një diktaturë të dytë për të shembur. Kemi një komb për të shpëtuar. Kemi familjen shqiptare për ta shpëtuar. Kemi demokracinë për ta shpëtuar. Kemi Shqipërinë për ta ripopulluar me bijtë dhe bijat e saj”, tha Berisha.

Ai theksoi se ditëlindjen e 35-të të PD duhet ta festojmë në pushtet, në liri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: