LUMTURI MËRKURI*


Këshillat e mëposhtme janë këshilla të thjeshta dhe të njohura pothuajse nga të gjitha gratë shtatzëna, por megjithatë jo të gjitha dhe jo gjithmonë i zbatojnë ato në jetën e përditshme. Prandaj ky informacion le të konsiderohet si një risjellje në vëmendjen e të gjitha grave shtatzëne, por edhe familjarëve të tyre, për t’u zbatuar gjatë kësaj periudhe të nxehtë.


1. Pini ujë, mbajtja e trupit të hidruar duke pirë shumë ujë gjatë shtatzënisë është shumë e rëndësishme për nënën dhe bebin. Rekomandohet të pihet 6-8 gota me ujë për të qëndruar të hidruar. Sigurohuni që të pini ujë në një ritëm të qëndrueshëm gjatë gjithë ditës, prandaj gjithmonë mbani një shishe me ujë kur jeni jashtë. Nëse keni etje, ju jeni tashmë dehidratuar. Dobësi, lodhje, marrje mendsh, etje e tepruar, ndjenjë vaposje (për shkak të motit të nxehtë), janë sinjal që ju jeni dehidratuar.


2. Ushqehuni në mënyrë të shëndetshme, hani në sasi të vogla dhe disa herë në ditë. Ushqimi duhet të përfshijë shumë fruta të freskëta apo lëngje frutash për të mposhtur vapën. Perimet gjithashtu duhet të përfshihen në dietë gjatë muajve të verës.

3. Mbajeni trupin të freskët, freskojeni trupin herë pas here, bëni dush shpesh, sidomos nëse keni ndjenja të padurueshme të nxehti, një dush i ftohtë mund të jetë mjaft i dobishëm.

4. Vishuni sipas kohës, përdorni veshje të lehta pambuku dhe me ngjyrë të çelëta që lejojnë qarkullimin e ajrit duke mundësuar rregullimin e temperaturës trupore.

5. Kujdesuni për këmbët, sigurohuni që të mbani këmbët më lart kur jeni ulur, me ndihmën e jastëkut apo ndonjë mjeti tjetër. Gjithmonë blini këpucë të rehatshme dhe të përshtatshme gjatë shtatzënisë. Nëse është e mundur, vishni këpucë të cilat kanë një madhësi gjysmë më të madhe se madhësia e këmbës tuaj normale.

6. Kujdesuni për flokët, nëse keni flokë të gjatë, lidhini lart për të siguruar qarkullimin e lirë të ajrit në qafën tuaj dhe mbrapa. Kjo mund të ndihmojë në uljen e djersitjes së shumtë.

7. Kujdesuni për lëkurën gjatë verës, shtatzënia mund ta bëjë lëkurën shumë të ndjeshme. Qëndrimi në diell pa mbrojtje favorizon krijimin apo theksimin e njollave (të ashtuquajturat njollat e shtatzënisë) në lëkurë kryesisht fytyrë-mollëza, hundë, mbi buzën e sipërme dhe qafë. Sigurohuni që qëndrimi në diell të jetë i kufizuar. Sa herë dilni aplikoni krem mbrojtës për tu mbrojtur nga dielli. Mos harroni të vini syze dielli. Një kapele me strehë të gjerë apo shall mund të përdoret gjithashtu për tu ruajtur nga rrezet e diellit. Gjatë verës buzët thahen, prandaj përdorni një balsam me mbrojtje (SPF) 15 për të mbrojtur buzët.

8. Nëse bëni ushtrime, bëjini ato në kohën më të freskët të ditës përpara se të filloni të bëni ushtrime fizike, gjithmonë këshillohuni me ofruesin e kujdesit shëndetësor. Gjatë verës, ushtrimi duhet të bëhet herët në mëngjes ose në mbrëmje, kur temperatura është e ulët. Gjatë ushtrimeve nëse ndiheni të lodhura është më mirë të çlodheni dhe të pushoni. Mos u mundoni ta mbingarkoni veten me aktivitete fizike. Bëni ushtrime të lehta. Pini lëngje përpara se të filloni ushtrimet fizike si edhe gjatë kryerjes së ushtrimeve.

9. Shmang ose kufizo daljen në mjediset e jashtme gjatë orëve të nxehta. Sipas mundësive, planifikoni që aktivitetet tuaja në natyrë t’i bëni në mëngjes herët ose në mbrëmje vonë. Shmangni daljen jashtë gjatë orëve të pikut 11:00-16:00, kur rrezet e diellit janë më të forta.

10. Pushimi dhe gjumi janë faktorë shumë të rëndësishëm për nënat. Gjumi ndihmon për të eliminuar stresin. Të nxehtit e verës mund t’ju bëjë më të lodhur dhe më të stresuar. Merrni kohë për veten tuaj. Relaksohuni me mënyra të ndryshme që janë të pëlqyeshme për ju.
Specialiste pranë Institutit të Shëndetit Publik

(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: