Një nënë nga Kruja kërkon të takojë fëmijët e saj të cilët prej dy vitesh jetojnë me ish-bashkëshortin. Gruaja është martuar shumë e re në moshën 16-vjeçare.

Martesa u bë në vitin 1997, asokohe çifti u njoh me shkuesi. Nga kjo lidhje erdhën në jetë tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Jetesa e çiftit sëbashku me prindërit e bashkëshortit sipas gruas, nuk ka qënë e lehtë.

Nëna e tre fëmijëve shpeshherë ka patur debate me vjehrrën. Por sipas saj, shkak i divorcit ka qënë një telefon të cilin gruaja e ka gjetur rastësisht teksa përshkronte rrugën. Pas debateve të shumta dhe dyshimeve, burri vendosi të lërë bashkëshorten. Në 2016 çifti u nda, por nëna asokohe nuk kishte as të ardhura ekonomike dhe as një strehë ku të qëndronte, ndaj me vendim gjykate bashkëshoti mori kujdestarinë e tre fëmijëve.

38-vjeçarja nuk ka arritur të paguajë pensionin ushqimor, frika e saj është se edhe nëse do shlyente detyrimet ushqimore ajo sërisht nuk do të takonte fëmijët e saj. Sipas gruas, ish-bashkëshorti i cili është rimartuar sërish sëbashku me familjarët e tij ushtrojnë presion që fëmijët mos ta takojnë atë. E dëshpëruar ajo kërkon një zgjidhje pasi nëse dy djemtë ka arritur t’i shohë , vajzën që është dhe fëmija më i vogël ka dy vjet që nuk e sheh.

Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” gruaja u përball me ish-bashkëshortin, i cili i plasi në fytyrë faktin se fëmijët nuk duan ta takojnë për shkak se ajo e ka tradhtuar. “E ke pranuar në gjykatë ti, e ke pranuar para vëllait tënd dhe tre fëmijëve tradhtinë”,-iu hakërrye ish-bashkëshorti.

“Unë dua t’i takoj por nuk më lënë”, tha 38-vjeçarja.

TELEFONATA E ISH-BASHKËSHORTIT
Kanë 2 vite që nuk takohen me nënën e tyre fëmijët zotëri, përse?

Ish-bashkëshorti: Kush tha që kanë dëshirë ta takojnë?

Djali tha…

Ish-bashkëshorti: Ai tha për dëshirën e tij. Motra dhe vëllai ia kanë shprehur në fytyre asaj deri sa morën vesh ngjarjen

Çfarë ngjarje?

Ish-bashkëshorti: Ajo e ka pranuar në sallë të gjyqit tradhtinë bashkëshortore edhe në sy të vëllait dhe përballë tre fëmijëve.

Një bashkëshort ndahet, nuk mund të ndëshkohet me kujdestarinë e fëmijëve…

Ish-bashkëshorti: Ti detyroj unë tani fëmijët? Ju keni psikologë, dera ime është e hapur ejani dhe pyeteni nëse pranojnë ta takojnë apo jo.

Edhe ju keni pasur një lidhje tjetër nga e cila prisni një fëmijë…

Ish-bashkëshorti: Unë jam ndarë me këtë në 20 gusht 2016 dhe më më 9 prill 2017 kam krijuar lidhje tjetër

A jeni gati që vajzën dhe djalin ta çoni në zyrë përmbarimore të takojnë nënën?

Ish-bashkëshorti: Pa dëshirë si mund ti dërgoj?

Po, pa dëshirë se është vendim gjykate

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb