TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se dixhitalizimi i shkollave është një transformim radikal që do të sjellë shumë të mirë. Rama ka marrë pjesë sot në prezantimin e projektit të dixhitalizimit të shkollave. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet, kreu i qeverisë tha se kjo është faza e parë e transformimit dhe për një periudhë 3-vjeçare, gjimnazet do të kalojnë nga faza ku gjenden sot në fazën e re.

“Është faza e parë e transformimit. Kur e propozuam, pati shumë që e panë me skepticizëm, pati njerëz që nuk ngurruan të shprehin cinizmin e zakonshëm. Po ja kur erdhi dita që shkollat të përfshihen në këtë projekt, ku do të përfitojnë rreth 47 mijë nxënës. Në 3 vjet të gjitha gjimnazet do të kalojnë nga faza ku gjenden sot në këtë fazë të re, ku sot u prezantuam me të gjitha risitë dhe sfidat”, tha ai.

Kryeministri deklaroi se problemi kryesor tashmë nuk janë nxënësit por mësuesit për të cilët do të ketë edhe trajnime.

“Sigurisht kjo nuk është e lehtë. Për herë të parë problemi nuk janë nxënësit por mësuesit. Trajnimi i mësuesve në këtë proces, është një sfidë e madhe. Problemi i teknologjisë nuk është sa investojmë në infrastrukturë, por sa këto investime janë të lidhura me dijen dhe aftësinë për ta përdorur këtë infrastrukturë. Ky është një transformim radikal që do të sjellë shumë të mira, por kryesorja do të krijojë një lidhje të re dhe shumë transparente mes asaj që ndodh në marrëdhëniet nxënës-mësues, ndërmjet shkollave etj. Kjo teknologji na jep mundësinë të kemi përballë një pasqyrë transparente”, tha kryeministri Rama.

Ndërsa Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se ky projekt do të jetë i shtrirë më së shumti në shkollat e mesme.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: