Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas dhe njëherazi deputetja e PD, Albana Vokshi denoncoi në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, në News24, një plagosje me thikë brenda ambienteve të një shkolle në kryeqytet.
Ajo tha se nxënësi i plagosur është djali i një anëtareje të PD-së te dega 4 në Tiranë. Vokshi thotë se denoncimin e rastit nga ana e prindërve, oficerja e sigurisë së shkollës e ka injoruar duke u thënë se “ju jeni të PD-së”. Deputetja demokrate shtoi se vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani te shkolla “Fan Noli” është një ngjarje e paralajmëruar.
“Një zonjë, anëtare e PD te dega 4, djali i saj adoleshent, në 9-vjeçare, në një nga shkollat e Tiranës, është plagosur me thikë brenda shkollës. Ka ndodhur para disa muajsh. Oficerja e policisë në vend që të merrte masa për të shqyrtuar këtë denoncim, i kishte shkruar në Facebook “ju jeni të PD-së”. Shkollë publike. Oficerja një militante patronazhiste e PS. Të gjithë oficerët janë patronazhistë të PS. Zonja ka denoncuar plagosjen e djalit të saj brenda shkollës. Ajo që ka ndodhur me 14-vjeçarin është e paralajmëruar. Oficerja e sigurisë i ka thënë, “të kam parë rrjetet sociale, ti je e PD-së”. Drejtoresha e shkollës nuk ka reaguar, edhe ajo militante e PS-së. Nuk më kujtohet emri i shkollës. Por drejtoresha ka qenë drejtoreshë te “Sami Frashëri”. E denoncuar nga PD, është transferuar drejtoreshë në një shkollë tjetër. Dhe zonja anëtare e PD e ka transferuar djalin në një shkollë tjetër. Jemi në një shoqëri ku nuk ka siguri jete për fëmijët tanë”, u shpreh Vokshi.
(BalkanWeb)