TIRANE – Pas dorëheqjes së Luneda Sufalit, në krye të Drejtorisë së Lojërave të Fatit është emëruar Zhani Çakuli, djali i drejtorit të emisionit “Fiks Fare”, Filip Çakuli. Zhani Çakuli mbante më herët detyrën e drejtorit të IT-së në Drejtorinë e Lojërave të Fatit.

Drejtoresha e Lojërave të Fatit, Luneda Sufali ka dhënë dorëheqjen nga posti një ditë më parë. Mësohet se Sufali vetëm pak kohë më parë është bërë nënë dhe besohet se kjo është arsyeja që ajo ka marrë vendimin për të lënë postin e drejtores së Lojërave të Fatit, që mbante nga tetori i vitit 2013.

Sufali ishte drejtoresha që priu aksionin e parë të qeverisë “Rama” e që ishte ai kundër lojërave të fatit. E pyetur asokohe nëse kishte ndërhyrje për shkak të operacionit, Sufali përgjigjej: “A ka pasur ndërhyrje? Sigurisht që kam pasur. E kuptoj pse. Është një sektor ku lëvizen shumë para dhe shumë interesa, por nuk ka më miq në këto punë. Të gjithë duhet të kuptojnë që miku më i mirë është ligji”.

Sufali është e dyta drejtoreshë që largohet nga posti pas Elisa Spiropalit, e cili pak a shumë dha dorëheqjen në të njëjtat kushte, menjëherë pasi erdhi në jetë vajza e saj. Gjithashtu, Sufali është e njohur në opinionin publik pas një debati të ashpër që ajo pati gjatë një raportimi në Komisionin e Ligjeve me kryetarin Fatmir Xhafa. Pas një batutë të saj, që kryetari Xhafa e cilësoi të pavend, ai i kërkoi që ajo të dilte jashtë, por kundërpërgjigja e saj për habinë e të gjithëve ndaj Xhafës ishte: “Nuk largohem”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb