Djali i të ndjerit Remzi Hoxha, Ardian Hoxha, tha sot se i implikuari kryesor i vrasjes së babait të tij, Budjon Meçe, nuk është më gjallë. Duke përkujtuar 24-vjetorin e vrasjes së të atit, ai deklaroi se edhe qeveria “Rama” dështoi të zbardhte këtë ngjarje, teksa shtoi se babai i tij dha jetën për kombin shqiptar.

“Iu drejtova kryeministrit Rama, fillimisht na u tha se i duhej kohë, që të merret me çështjen. Por, në 2015 prapë e takova dhe i ofrova edhe një zgjidhje, se si ta zgjidhte më shpejt e më lehtë këtë çështje, duke e kapur Budjon Meçen, pasi kisha informacion se gjendej në Shqipëri, më orientoi te Saimir Tahiri, që ishte ministër i Brendshëm dhe më tha t’ia çoja të gjitha informacionet.

Tahirit ja kam nënvizuar që Budion Meçeja ka qenë i implikuar, në email shihet edhe përgjigja e tij, se do ja kalonte policisë, por që nuk është bërë asgjë. Tashmë kam informacionin se Meçeja nuk është i gjallë më. Kemi humbur një rast për të zbardhur drejtësinë. Kjo është shumë zhgënjyese për ne familjarët, pasi kishim shpresa të mëdha se do na ndihmonte të gjenim eshtrat. Kjo tregon se edhe kjo qeveri nuk ka qenë e interesuar të zbardhë rastin e babit tonë. Babi im, si shumë njerëz të tjerë, jetën e ka humbur për kombin shqiptar. Është shumë zhgënjyese për ne dhe shumë familje të tjera”, tha djali i Remzi Hoxhës.


Më tej, Ardian Hoxha raportoi se për të rritur presionin ndaj shtetit, që të zbardhë këtë vrasje, po përgatiten edhe dy dokumentarë për figurën e tij, njëri narrativ dhe tjetri artistik.
“Për të rritur presionin, ne kemi filluar të bëjmë edhe dokumentar për figurën e babait tim. Do bëhen dy dokumentarë, njëri narrativ dhe tjetri do të jetë dokumentar artistik”, u shpreh ai.


(d.ç./BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb