Mick Schumacher, djali i 7 herë kampionit të botës në Formula 1, Michael Schumacher, do të jetë në krah të Sebastian Vettel në turneun e “Race of Champions” (gara e kampionëve), event që do të organizohet më datat 19-20 janar, në Meksikë. Lajmin e kanë konfirmuar sot organizatorët e eventit, por edhe vetë piloti i ri gjerman, përmes një mesazhi në rrjetet sociale.

Piloti 19-vjeçar këtë vit u shpall kampion në GP Formula 3 të Europës me makinën Prema dhe duket se do të ndjekë gjurmët e babait të tij. Michael Schumacher dhe Sebastian Vettel kanë garuar së bashku në këtë event për 6 vite me radhë, në periudhën 2007-2012. Ndërsa tani Vettel do të garojë me Mick, një ngjarje e veçantë për të dy.

“Jam i nderuar që do të marr pjesë në këtë kompeticion, të cilin babai im e ka dashur gjithnjë. Së bashku me Vettel ata kanë vendosur një nivel shumë të lartë të këtij kompeticioni”, u shpreh Mick Schumacher përmes një postimi në “Twitter”.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: