Në Shënjestër
Artur Thomaraj, babai i 29-vjeçarit që humbi jetën nga tritoli në Elbasan, Enea Thomaraj thotë se nuk kishte informacione për motrat Alda dhe Xhovana Nikolli, për të cilat ishte destinuar lënda plasëse e vendosur pas derës së apartamentit ku ato jetonin me qira.
Aq më pak të kishte njohuri për të shkuarën e tyre, të lidhur me dy eksponentë të rrezikshëm të krimit.
Alda Nikolli ishte në një lidhje intime me të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani dhe që kishte një vajzë të vogël. Ndërsa Xhovana ishte e fejuara e të penduarit tjetër të drejtësisë Amarildo Nikolli.
Motrat të cilat nuk pësuan asnjë dëmtim nga kjo ngjarje, pavarësisht se eksplozivi atë mëngjes ishte adresuar për to.
Vetë babai i Eneas, thotë se njëra nga vajzat që kishte edhe një fëmijë të vogël rrinte afërsisht prej 18 muajsh me qira në apartamentin përballë tyre.
![Artur Thomaraj2](https://www.balkanweb.com/wp-content/uploads/2025/01/artur-thomaraj2.jpg)
Për shkak të fëmijës së vogël që kishte, bashkëshortja e tij, e ndihmonte shpesh me ç’të mundej qiraxhien përballë.
Artur Thomaraj: Lënda shpërthyese ishte vendosur në derën përballë me derën time. Përballë ishin një qiraxhi. Kishin një vit e ca që rrinin aty. I kemi afruar, u kemi dhënë kafe. Nusja i çonte bukë vajzës. Kërkonin tepsi për të bërë byrek i ndihmonim. Kjo pasi e ëma e asaj vajzës kishte të njëjtin emër me të nuses sime.
Por komshinjtë mesa duket nuk zgjidhen.
Ashtu si edhe qiraxhinjtë.
Dhe ky mesa duket ishte fati i keq i Eneas dhe i familjes së tij, të cilët tashmë vuajnë humbjen e trishtë të tij.
Një djalë që për të ndihmuar familjen, ishte i detyruar të punonte me tri turne.
I cili nuk i bëri kurrë keq në këtë jetë dhe që gëzonte respektin e gjithsekujt në shoqëri.
Artur Thomaraj: Ka ardhur një person që kishte pirë njëherë kafe me Enean duke qarë. E kishte njohur Enean rastësisht, ishte ulur në tavolinë dhe ai e kishte qerasur me kafe. Ishte i dashur më të gjithë. Kur dikush i kërkonte ndihmë, i çonte edhe me makinë në spital natën.
Edhe sot babai qan fatin e keq të të birit, teksa kujton se atë ditë që tragjedia ra në banesën e tyre, ai ishte pushim.
Dhe me trishtim të thellë thotë se sikur të kishte qenë ndryshe, djali i tij ndoshta sot do të ishte në jetë.
Dhe ai shpërthim që e vrau dhe e ndau nga jeta 2 muaj më pas, mund ta kishte kursyer.
EMISIONI I PLOTË
(BalkanWeb)