Biznesmeni shqiptar Elton Ilirjani, i cili ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka pasur mundësinë të takohet me ikonën e muzikës shqipe, Parashqevi Simaku.

Disa ditë më parë, Ilirjani shpërndau për herë të parë në rrjetet sociale një foto ku shfaqej duke u përqafuar me Simakun, duke treguar se pas atij takimi, ai tani e ka marrë nën mbështetje këngëtaren e njohur.

Pasi ishte e pamundur të realizohej një lidhje telefonike me emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio, Ilirjani dërgoi disa mesazhe zanore, ku shprehu emocionet e tij për këtë takim të veçantë dhe ndjesitë e Parashqevisë për këtë ndryshim të papritur në jetën e saj.

“Kemi kaluar tri ditë shumë të vështira. Dy netë pa gjumë. Sot që arrita të fle pak, ajo ka pasur krizë. Nuk duhet të kishte dëgjuar asgjë nga këto që foli Osman Mula e shokë. Nuk e di domethënë. Është keq. Nuk pranon. Po qan. Kam frikë se do të na iki prapë. Jam shumë i trishtuar. Nuk di çfarë të bëj. Nuk janë çështje lekësh. Është çështja që ajo do djalin. Djali s’do ta takojë. Nuk e di. Është një tragjedi e madhe. Nuk e di pse u gjenda këtu në mes të gjithë kësaj. S’di si të sillem. S’di çfarë të bëj. Thjesht i lutem Zotit që ajo të mos iki.

Për herë të parë në jetën time ndihem shumë i trishtuar. Është një situatë shumë komplekse. Ajo donte që të dilte, të shijonte një moment të bukur. Ma kërkoi dhe tha ‘dua të këndoj’. Kishte dëgjuar që shqiptarët kishin folur që ajo nuk e donte Shqipërinë e prandaj dolëm atë ditë dhe tha që ‘dua të ndihem si Hirushja’. Unë bëra çdo gjë sipas kërkesës së saj dhe çdo gjë tjetër. Edhe sot prapë do t’i lutem që të bëjmë çfarë të dojë ajo, por e vetmja gjë që do ajo është të takojë djalin e saj. Kaq. Asgjë tjetër. Nuk i duhen as paratë, as fama, asgjë. Do djalin e saj”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb