Nga Ervis Kuçi
FIER- Dy ditë pas ngjarjes së rëndë në Fier, ku mbeti i plagosur rëndë 38-vjeçari Ervin Memo dëshmitë flasin për konflikte pronësie të familjes së tij.
Të kontaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, familjarët e Ervin Memos, janë shprehur jashtë kamerës se janë të tronditur e nuk dine ç’të thonë për atë çfarë ka ngjarë. Ndërkohë, nuk kanë preferuar të prononcohen lidhur me konfliktet e pronësisë që kanë me persona të tjerë në qytetin e Fierit.
Banorët e zonës janë shprehur se anëtarët e familjes Memo ishin të rregullt e punëtorë dhe se nuk dinë që të kenë pasur probleme.

Hetuesit kane sekuestruar pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë të disa subjekteve private që ndodhen pranë vendit të ngjarjes. Ka nisur verifikimi i pamjeve edhe të ditëve të kaluara me qëllim zbulimin e personit që mund të ketë vendosur lëndën plasëse në mjetin tip “Benz” me targa AA 270 IV.

Mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 22:45, një shpërthim i fortë i ndodhur në lagjen “29 nëntori”, pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Grecallisë” tronditi banorët e zonës. Ka qenë aktivizimi i një sasie lënde plasëse ende të papërcaktuar që ishte vendosur në mjetin e Ervin Memos, në momentin kur ai ndodhej në makinë, që për pak i ka marrë jetën 38-vjeçarit.

Si pasojë e shpërthimit të lëndës plasëse mjeti është shkatërruar thuajse i gjithi, ndërkohë që 38-vjeçari ka mbijetuar duke arritur të shkojë me këmbët e tij deri tek autoambulanca, në anën tjetër të rrugës. Dyshohet se shpërthimi mund të ketë ardhur si pasojë e aktivizimit të një bombe artizanale me celular. I plagosuri ka marrë dëmtime në anën e djathtë të nofullës, dhe është plagosur nga copa xhami thuajse në gjithë trupin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: