Ngjarja e rëndë e 2 janarit të këtij viti tronditi jo vetëm Mallakastrën, por gjithë vendin. Gazmend Musta pas një debati me bashkëshorten ka vrarë gruan Gentianën dhe kunatën e tij. Siç u zbardh ngjarja, Gentiana kishte kërkuar që të shkonte për vizitë tek prindërit, por këtu ka ndeshur në kundërshtimin e bashkëshortit të saj.

Pas debateve ajo është shprehur se do të merrte fëmijët dhe do të shkonte vetë në fshat. Kjo gjë ka zemëruar së tepërmi Gazmendin i cili është shprehur se ai ishte burri i shtëpisë dhe vendoste ai se çfarë do të bëhej.

Fill pas sherrit, ai ka rrëmbyer thikën dhe ka goditur bashkëshorten, ndërsa motra e saj ka ndërhyrë për ta ndihmuar, por edhe ajo ka rënë pre e sulmit. Teksa Gazmendi është duke u gjykuar për krimin e kryer, 2 fëmijët e mitur janë vendosur në fshatin SOS.

Në gjykatë janë paraqitur dy palët për të kërkuar kujdestarinë e tyre, daja dhe gjyshërit nga babai. Gjykata e Fierit ia besoi dajës, por gjyshërit kanë apeluar në Gjykatën e Vlorës dhe kërkojnë t’i takojnë fëmijët e të kujdesen vetë për ta.

Sot ata kanë qenë në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 duke thënë versionin e tyre për ngjarjen e rëndë një ditë pas vitit të ri.
Babai i autorit ka mohuar deklaratat se djali i tij ishte i dhunshëm me gruan dhe se ajo kishte disa urdhra mbrojtje ndaj Gazmendit. Sipas të atit, ata ishin një çift shembullor dhe se vrasja ka ardhur pas një sherri të çastit në moment gjaknxehtësie.

“Në seancat gjyqësore të shkallës së parë unë kam kërkuar ndjesë për atë familjen. E kam pasur nusen si vajzë e kaluar vajzës. Se çfarë ndodhi mes çiftit ne nuk dimë asgjë.
Nuk e kam hapur televizorin për 20 ditë. Nuk doja të dilja e të flisja për mediat e të thosha se gënjejnë. Djali me gruan shkonin shumë mirë. Nuk ka pasur asnjë urdhër mbrojtje nusja e djalit.
Pas ngjarjes djali më ka marrë në telefon hajde merr fëmijët kam shkuar në komisariat po nuk mi kanë lënë fëmijët.
Po djali im ka shkuar aq mirë me gruan sa ne thoshim, se kemi 4 djem, sikur dhe 3 të tjerët të kishin të njëjtin fat. Ne kërkojmë fëmijët. Marrëdhënia jonë si gjyshër, xhaxhallarët dhe një hallë që kishim në shtëpi…është kurorë e parë e familjes sonë. I kërkoj këta fëmijë se kur vinte nusja tek ne, ishte në rehatinë e vet. Vajza lindi në Greqi dhe është kthyer 14 muajsh e vogla dhe e kemi rritur në maksimum, më mirë se fëmijët tanë.
Ne duam që të jenë në frymën tonë, në frymën e kësaj nëne që s’po merr dot veten. Kam dorëzuar dokumentet, unë i plotësoj kushtet që t’i kem. Kam 5 biznese.
Ta shohin në qoftë se unë nuk jam person i përgjegjshëm apo i përshtatshëm, për t’i rritur, edukuar, shkolluar, psikologë, çfarë të duan ata. Kam vajtur disa herë në fshatin SOS dhe me presin me urrejtjen më të madhe, quhemi kriminelë unë dhe kjo gjyshe. E kam kërkuar disa herë psikologen e fshatit SOS për t’i pyetur dhe nuk më ka dalë. Fëmijët kanë kërkuar të shkojnë tek babai”, deklaroi gjyshi i fëmijëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb