Policia ka proceduar penalisht juristen Adriana Kalaja, për protestën e djeshme përpara Bashkisë së Tiranës, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”;.
Ndërsa, është proceduar penalisht edhe Klevis Balliu për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Gazetari Igli Çelmeta raporton për Balkanweb se të proceduarit nga policia për protestën e djeshme janë Adriana Kalaja, Klodijan Bajrami, Klevis Balliu, Ilir Tusha, Astrit Hysa dhe Sokol Ndoja.
“Tiranë
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në lidhje me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme, në vijim të veprimeve hetimore të kryera ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në gjendje të lirë për shtetasit A. K., 60 vjeçe, për veprën penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”;
– K. B., 22 vjeç, K. B., 35 vjeç, I. T., 49 vjeç, A. H., 45 vjeç, dhe S. N., 38 vjeç, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Këta shtetas ditën e djeshme kanë djegur dy goma automjetesh dhe më pas janë bashkuar me grupin e deputetëve dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë”, njofton policia.
(Balkanweb)