Gazment Bardhi, kreu i deputetëve demokratë, në një deklaratë për mediat e konsideroi si përgjegjësi personale të çdo deputeti veprimet që bën me mjetet e punës, duke përfshirë edhe karriget.

Bardhi tha se deputetët e opozitës akuzohen sikur kanë kryer krime nga këta që nuk kanë lënë gjë pa vjedhur.

Duke komentuar djegien e karrigeve në shkallët e Kuvendit, Bardhi tha se karriget janë mjeti i punës së deputetit dhe është përgjegjësi e tyre se çfarë bëjnë me një mjet pune.

Ndërkohë kreu i Grupit Parlamentar demokrat ka sqaruar edhe kallëzimin që PD ka bërë në SPAK për 73 deputetë socialistë.

Bardhi tha se tashmë në fletoren zyrtare është botuar vendimi për moszbatimin e vendimit të Kushtetueses lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës dhe moszbatimi i një vendimi gjykate është vepër penale.

Bardhi tha se sipas Kodit të Procedurës Penale, moszbatimi i vendimit të Gjykatës dënohet me burg deri në 3 vjet. Në këto kushte, kreu i Grupit Parlamentar demokrat tha se PD i është drejtuar SPAK për të hetuar të 73 ligjvënësit socialistë.

Gjithashtu Bardhi ka sqaruar edhe arsyen sepse do të paraqitet në SPAK sot, pak ditë pasi denoncoi disa mesazhe që i kishin mbërritur në telefon të cilat i konsideroi si akte intimiduese.

Bardhi tha se SPAK është vënë në lëvizje pas denoncimit të tij. “Kam shprehur gatishmërinë për t’i vënë SPAK-ut në dispozicion telefonin tim, për të hetuar atë kallëzim që kam bërë, dhe sot do të paraqitem në Prokurorinë Speciale”, tha Bardhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: