Shoqata për Autonominë Vendore ka reaguar pas djegies së materialeve zgjedhore në shkollën “Ndre Mjeda”, në Bushat të Vaut të Dejës, nga mbështetësit e opozitës.

Kjo shoqatë e ka cilësuar një turp kombëtar djegien e shkollës, ndërsa iu ka bërë thirrje bashkive të mos tradhtojnë misionin ndaj njerëzve e ligjit. Sipas SHAV, sjellja e kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, është e padenjë dhe e paligjshme.

“Djegia e shkolles Ndre Mjeda ne Vaun e Dejes, turp kombetar! Thirrje bashkive, te mos tradhetojne misionin ndaj njerezve e ligjit. Mbeshtetje policise, ftojme qytetaret te votojne lirshem te dielën.

Denojme me force sjelljen e Kryetarit Zef Hila, e padenje dhe e paligjshme, s’mund te perfaqesoje qytetaret. Solidaritet me banoret e Vaut te Dejes, s’kane lidhje me dhunen, do ndihmojme me ringritjen e shkollës”, thuhet në mesazhin e Shoqatës për Autonominë Vendore.

Deklarata e Plote:

Shoqata për Autonominë Vendore në emër të 46 kryetarëve të bashkive, dënon në mënyrën më të ashpër veprimet e dhunshme të ushtruara nga nëpunës të Bashkisë së Vaut të Dejës, dhe familjarë të tij.

Djegia e shkollës “Ndre Mjeda” në Vaun e Dejës, turp kombëtar! Dënojmë me forcë sjelljen e Kryetarit Zef Hila, e padenjë dhe e paligjshme, s’mund të përfaqësojë qytetarët.

Cenimi i fizik i forcave të policisë, prindër, bij e vëllezër shqiptar është një akt barbar, e kriminal i papranueshëm nga kushdo. Ky akt është dhe më i dënueshëm kur ushtrohet nga nënpunës publik të paguar nga taksapaguesit e këtij vendi për të shërbyer dhe jo për të vandalizuar qytetin e tyre.

Ne jemi të bindur që banorët e Vaut të Dejës nuk kanë lidhje me këtë akt makabër dhe sot secili prej tyre distancohet nga ky akt njësoj si ne. I bëjmë thirrje bashkive, të mos tradhtojnë misionin ndaj njerëzve e ligjit. Shprehim solidaritet me banorët e Vaut të Dejës që s’kanë lidhje me dhunën dhe angazhohemi që të ndihmojmë me ringritjen e shkollës.

Ne i bëjmë thirrje gjithë të zgjedhurve lokalë të të gjitha forcave që në frymën e Kushtetutës, por dhe të gjithë deklaratave të partnerëve tanë të SHBA dhe të BE-së të bashkëpunojnë për të patur zgjedhje të lira dhe të papenguara më datë 30 Qershor. Shprehim mbështetjen tonë të plotë për Policinë e Shtetit dhe ftojmë qytetarët të votojnë lirshëm të dielën, të ushtrojnë të lirë të drejtën e tyre për të zgjedhur si aktin më të rëndësishëm të ushtrimit të detyrave tona qytetare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb