TIRANE

Kryetari i PD-së Lulzim Basha iu ka dhënë përgjigje sot të gjithë skeptikëve për çështjen e mandateve. Pas takimit me ish-presidentin Bujar Nishani, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së, në selinë e kësaj partie, Basha deklaroi se nuk ka më kthim pas.

“Ajo që do të ndodhë është kjo nuk ka kthim prapa. Nuk është thjesht çështje mandatesh. Nuk do ketë më parlament, nuk do ketë më. Nuk ka pasur por nuk do ketë parlament fasadë. Ata mund të mblidhen, do vazhdojnë të marrin vendime kundër shqiptarëve, shqiptarët do t’iu përgjigjen dhe ne do jemi në krahë të shqiptarëve për t’iu përgjigjur që nga dita e enjte”, ka theksuar kryetari i PD.

Takimi me Nishanin vjen një ditë pas vendimit të PD-së për djegien e mandateve të deputetëve. Vendimi përfundimtar i mandateve jepet nga Këshilli Kombëtar i PD-së. Kujtojmë që PD vendosi dje unanimisht të djegë mandatet parlamentare.

Po kështu u vendos të mandatohet kryetari Basha të mbledhë këshillin kombëtar për marrjen e vendimit përfundimtar dhe të ngrihet një grup pune për teknikalitetet me njerëz që njohin ligjin dhe zgjedhjet. Janë propozuar për grupin: Gaz Bardhi, Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj, Clirim Gjata, Ivi Kaso.

Vendmit të PD-së për djegien e mandateve iu bashkuan edhe partitë e tjera opozitare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb