TIRANË

Pas shpërthimit në flakë të transformatorit elektrik tek Universiteti Bujqësor, ka reaguar menjëherë Partia Demokratike, e cila nuk ngurron të adresojë gishtin e “fajtorit” tek qeveria dhe tek degradimi i Universiteteve publike në vend.


Sipas saj, nëse studentët do të ishin në auditorët dhe ambientet e universitetit pasojat do të ishin katastrofike.


“Shpërthimi i transformatorit brenda godinës së Universitetit Bujqësor, shpërthen para opinionit qytetar gjendjen skandaloze të Universiteteve publike.


Falë Zotit dhe vendosmërisë së studentëve për të vazhduar protestën, ata nuk ishin aty, përndryshe, situata do ishte katastrofike.E drejta e protestës së tyre sot ulëret me shumë se kurrë. Ka gjashtë vite që Rama i Sarajeve të deklaruara 400 milionë e të pajustifikuara, si dhe banda e tij grabisin, rrjepin, zhvasin studentët pa bërë asnjë investim për kushtet më minimale në godina. Ka gjashtë vite që Rama i familjes me banka në parajsa fiskale, rrëmben nga xhepat e shqiptarëve edhe qindarkën e fundit, pa hedhur asnjë lek për arsimimin e të rinjve e fëmijëve.

Ka gjashtë vite që Rama i Koncesioneve 2.2 miliardë euro, pjell ligje për të vjedhur, shembur, rrafshuar pasuritë, shtëpitë e katanditë e qytetarëve dhe nuk pranon të hedhë poshtë ligjin që ka hedhur në erë Universitetet publike. Ka gjashtë vite që Rama i PPP-ve, ka partner krimin, klientelën, kusarinë dhe ka shpallur armiq studentët, pedagogët e qytetarët.

Është detyrë e të gjithëve ne, shumicës reale, ta shpërthejmë nga themelet këtë pakicë të kalbur që drejton vendin!”, thuhet në reagimin e PD-së.

Ndërkohë për djegien e transformatorit pak më parë ka reaguar edhe OSHEE, e cila shprehet se ai është në pronësi të Universitetit. Ngjarja sipas OSHEE ka ardhur si pasojë e neglizhencës dhe mungesës së mirëmbajtjes teksa shprehet se po punohet për zëvendësimin e transformatorit të djegur me një të ri.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb