Sot është ditë feste në sportin shqiptar, si sot 100 vjet më parë, u krijua në Shkodër “Shoqnia Vllaznia”, klubi i parë në futboll dhe natyrisht jo më kot i cilësuar nga të gjithë si “djepi i futbollit” shqiptar.

Futbollin në Shkodër e solli prifti maltez At Gut Ruter në vitin 1908, ndërsa 5 vite më vonë do të zhvillohet dhe një ndeshje miqësore mes skuadrës lokale “Indipendenca” dhe një skuadre të krijuar nga ushtarët austro-hungarezë, ushtri që asokohe kishte pushtuar Shkodrën.

Më 16 shkurt të vitit 1919, 75 përfaqësues të mbledhur në Shkodër, krijuan atë që sot të gjithë tifozët e njohin me emrin Vllaznia, skuadra shkodrane me ngjyrat kuqeblu, 9 herë fituese e titullit kampion dhe 6 herë fituese e Kupës së Shqipërisë, skuadra e vetme nga rrethet që ka mundur t’u bëjë ballë me krenari klubeve kryeqytetase.

Vllaznia (1)
Vllaznia (1)

Te kjo Vllazni kanë hedhur hapat emra legjendarë të futbollit tonë, sikundër i madhi Loro Boriçi, Lin Shllaku, Sabah Bizi, Ferid e Ramazan Rragami, Mehdi Zhega, Paulin Ndoja, Luan Vukatana, Hysen Zmijani, Fatbardh Jera, Astrit Hafizi e Hysen Dedja apo dhe të mëvonshmit Edi Martini, Armir Grima, Vioresin Sinani apo Hamd Salihi (të na falni për emrat që nuk janë përmendur, por janë vërtet të shumtë).

Ky 100 vjetor e gjen Vllazninë në orë të këqija. Ekipi ndodhet në Kategorinë e Parë dhe ka një problematikë të gjerë që e shoqëron prej vitesh. Titulli i fundit kampion është regjistruar në vitin 2008, ndërsa një sezon më pas tifozët e zjarrtë shkodranë kanë shijuar të fundit Vllazni kompetitive. Fatkeqësisht dekada e fundit e ka parë klubin më të vjetër shqiptar peng të politkës e burokracive dhe mërive të atyre që kanë në dorë për ta bërë Vllazninë një zonjë të vërtetë, por në fund u kanë mohuar shkodranëve ngjyrat e tyre!
Por pavarësisht gjithçkaje, Vllaznia mbetet Vllazni, ndaj ditët e errëta do të ikin shpejt dhe “Loro Boriçi” do të nisë të ushtojë si në ditët më të mira.
Gëzuar Vllazni!

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb