Ndërsa komentoi reformën në drejtësi, kryedemokrati Lulzim Basha, u shpreh se ajo nisi me qëllimet më të mira, por zbatimi i kësaj reforme u bë me shtrembërime, kapje, tentativa për kapje.

“Megjithatë unë kam besim se në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar ne do të arrijmë që t’ia dalim që reformën në drejtësi ta kthejmë në histori suksesi. Deri më sot askush nuk është dënuar. Gjyqi i Saimir Tahirit është farsa që tregon se çfarë rreziku i kanoset dështimit të reformës në drejtësi nga një pushtet i cili është i tmerruar nga reforma në drejtësi dhe më të drejtë. Por ne do të insistojmë, do të mbështesim ngritjen e SPAK-ut, sipas Kushtetutës.” u shpreh Basha

Pyetje: Si do ta vlerësonit reformën në drejtësi z.Basha dhe kush duhet të ketë frikë nga SPAK dhe nga Byroja Kombëtare e Hetimit?

Lulzim Basha: Reforma në drejtësi ishte reforma që nisi me qëllimet më të mira. Drafti që u miratua mbrëmbjen e 22 korrikut është krenari për Partinë Demokratike dhe për mua personalisht. Mund të them që shpenzuam dhe luftuam një kohë të gjatë që të arrinim se drafti kushtetues të mishëronte parimet e drejtësisë europiane. Zbatimi i kësaj reforme nisi me shtrembërime, kapje, tentativa për kapje. Megjithatë unë kam besim se në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar ne do të arrijmë që t’ia dalim që reformën në drejtësi ta kthejmë në histori suksesi. Deri më sot askush nuk është dënuar. Gjyqi i Saimir Tahirit është farsa që tregon se çfarë rreziku i kanoset dështimit të reformës në drejtësi nga një pushtet i cili është i tmerruar nga reforma në drejtësi dhe më të drejtë. Por ne do të insistojmë, do të mbështesim ngritjen e SPAK-ut, sipas Kushtetutës. Mbështetjen e SPAK-ut me burime të mjaftueshme njerëzore dhe buxhetore dhe hetimin një më një të të gjithë akuzave për korrupsion të çdo politikani, pavarësisht ngjyrave politike, pavarësisht se në çfarë periudhe bëhet fjalë dhe të lidhjeve të politikës me krimin. Kjo është rruga për ta çuar Shqipërinë drejt Europës dhe për t’i dhënë shqiptarëve atë që meritojnë: barazi para ligjit.

Pyetje: Z. Basha ne po arrijmë drejt fundit të intervisitës. Nesër janë zgjedhjet në Kosovë, a keni ju një preferencë?

Lulzim Basha: Unë ju uroj qytetarëve të Kosovës që nesër të kenë një festë të demokracisë, të zgjedhin alternativën më të mirë, të votojnë për konsolidimin e shtetit të Kosovës, të votojnë për Kosovën e vlerave euroiane, për Kosovën që lufton krimin dhe korrupsionin, për Kosovën e shpresave dhe qëllimeve të brezit të ri, të të rinjve dhe të rejave të Kosovës që janë burim frymëzimi dhe janë edhe burimi i energjisë për një Kosovë europiane, krah për krah një Shqipërie europiane në mënyrë që të lëmë pas periudhën e ngarkuar me kriza, të ngarkuar me korrupsion, të ngarkuar me humbje shprese. Të rikthejmë shpresën sepse nuk na mungon asgjë. Na ka munguar vetëm vullneti për të ecur përpara, na ka munguar vullneti për të vendosur qytetarët tanë të parët. Jam i bindur se qytetarët e Kosovës nesër do të vijnë të zgjedhin për ata që i vënë qytetarët e Kosovës të parët dhe jo vetën e tyre apo pushtetin e tyre.

Pyetje: Ju vetë keni një preferencë?

Lulzim Basha: Padyshim që po, por edhe më shumë nga pozitat e kryetarit të Partisë Demokratike nuk mund ta shpreh, as dëshiroj ta shpreh, sepse kjo do të përbënte një ndikim në procesin elektoral në Kosovë. Dhe unë besoj se i takon qytetarëve të Kosovës që të vendosin me votën e tyre të cilën PD dhe unë personalisht e respektoj, siç e kam respektuar gjithmonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb