Deputetja demokrate, Rudina Hajdari, ka dalë kundër dy forcave të mëdha politike në vend, PD dhe PS, teksa është shprehur se socialistët po tregojnë anën e errët të zaptuar nga dëliri i arrogancës, ndërsa opozita në bojkot po forcon pozitat e mazhoranës.


Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, deputetja Hajdari ka treguar prioritetet ku do të fokusohet opozita e re me fillimin e punimeve të Kuvendit, nga dita e sotme, duke u shprehur se vëmendje të posaçme do të kenë ndryshimet në sistemin zgjedhor dhe të drejtësisë. Sipas Rudina Hajdarit, Reforma Zgjedhore dhe Reforma në Drejtësi janë “Thembra e Akilit”, përmes së cilës mund të dilet nga kriza e thellë politike.


“Reforma Elektorale nuk do të ndalet, sepse ajo është çelësi, që zgjidh krizën politike në vend. Kushdo nëpërmjet pushtetit të tij/saj mund të shantazhojë këtë Reformë, por ky proces do të jetë “thembra e Akilit”, i cili do gjunjëzojë̈ të gjithë̈ ata që mendojnë̈ se mund të marrin peng zgjedhjet. Do ketë ndryshime rrënjësore kushtetuese dhe ligjore për të arritur standardet e duhura”, ka deklaruar ndër të tjera deputetja Hajdari.


Intervista e plotë:

Znj. Hajdari, cilat janë prioritetet e opozitës parlamentare për sezonin e ri politik?

Rruga më e shkurtër nuk të çon detyrimisht drejt fitores, ndonjëherë ajo kthehet në rrugën më të gjatë. Vërtet kemi akoma institucione të gjymtuara, por një gjë do mbahet mend, që opozita parlamentare demokrate zgjodhi rrugën e drejtë, e cila për herë të parë dha shembullin e një opozite që i tha jo vendimit për thellim të krizës dhe bojkotit total parlamentar. Shqiptarët kanë duruar mjaft me opozita që sillen njësoj dhe kërcënojnë me bojkote të vazhdueshme. Çdo krizë politike por edhe qeveri tranzitore ndihet në kurriz të qytetarëve, që nga bllokimi i biznesit dhe krijimi i situatave të pasigurta, që kanë ndikim tek çdo qytetar. Një opozitë që nuk merr pjesë në Parlament dhe në zgjedhje, në proceset demokratike për ‘hir të popullit’ nuk ka sens logjik. Nuk është dëgjuar kurrë një gjë e tillë në historinë e shumë vendeve, dhe nuk kishim pse të merrnim këtë rrugë pa mbështetjen e aleatëve tanë kryesor dhe tanimë, duket qartë, edhe pa mbështetjen e demokratëve të shumtë. Jemi përballë një qeverisje skandaloze, që prej 6 vitesh nuk ka prodhuar asgjë të prekshme për Shqiptarët dhe Shqipërinë, por përkundrazi ka qenë një ndër qeveritë më me shumë pushtet që prej 90’s dhe përsëri ka zgjedhur të pasurojë vetveten dhe jo Shqipërinë. Një opozitë që bojkoton vazhdimisht, nuk bën gjë̈ tjetër, përveç̧ se e forcon akoma dhe më shumë pozicionin e Partisë Socialiste. Ndaj, ne zgjodhëm rrugën e duhur, atë të përballjes dhe jo braktisjes së mandateve që i përkasin popullit dhe jo tekave politike. Opozita duhet të punojë drejt maturimit politik dhe të zotërojë intelektin e duhur për të paraprirë shpresën dhe vizionin e asaj që do të vijë në të ardhmen, duke ushqyer mbështetjen e aleatëve dhe duke treguar besueshmëri për vizionin që ka. Në funksion të kësaj, ne jemi pro krijimit të institucioneve të pavarura, Reformës në Drejtësi, si dhe zgjidhjeve pa presione partiake dhe pa kontestime, por me platforma dhe ide të reja.

Si e shikoni ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe sjelljen e partive opozitare në lidhje me të?

Reforma në Drejtësi është një ndër reformat më të rëndësishme për Shqipërinë, reformë kjo, e cila për herë të parë nuk është̈ më në dorën e Partive Politike. Që nga ‘90 e më tutje, çdo reformë që është sjellë nga qeveritë̈ e njëpasnjëshme është politizuar dhe ka sjellë në rastin më të mirë rezultate të ngadalta. Depolitizimi në Shqipëri, si proces, duket gati i pamundur, por në fakt nuk është̈ ashtu. Nëse kjo gjeneratë post-komuniste në bashkëpunim me ata që e kanë ndjerë në kurriz dorën e fortë të partive do luftojnë për përparimin e Shqipërisë, çdo gjë mund të arrihet për sa kohë ka vazhdimësi epokash të ndërgjegjësuara për historinë e vendit. Kam bindjen se Institucionet e Pavarura mund të formohen nëse këta individë̈ kanë integritetin e duhur dhe, nëse pavarësia e tyre do të mbrohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për sa i përket qasjes suaj ndaj krizës politike në vend, mendoni se zgjedhjet e 13 tetorit do të mund të zgjidhin diçka?

Partia Socialiste vazhdimisht po tregon anën e saj të errët sepse është zaptuar nga deliri i arrogancës dhe ka humbur ndjeshmërinë për qytetarët, duke u shkëputur komplet nga ata. Nuk arrin dot të marrë përsipër as të kandidojë njerëz të denjë sepse nuk u intereson opinioni publik dhe as si jetojnë shqiptarët, por bëjnë propagandë duke u kujdesur për gjëra sipërfaqësore dhe kështu ata mbajnë pushtetin. Rrethi vicioz që ndodhet Shqipëria, e ka zanafillën te Kryeministri paranojak dhe perandorist, që nuk mban përgjegjësi për asnjë dështim, por ja lë fajin gjithmonë të tjerëve. Partia Socialiste ka shkatërruar biznesin e vogël e të mesëm, ka braktisur familjet në nevojë, si dhe ka lënë Shqipërinë pa asnjë lloj prodhimi apo investimi të huaj. Me pak fjalë, ajo që ka mbetur është të formohet një opozitë e besueshme për të qeverisur, si pushtetin qendror ashtu dhe atë vendor, në funksion të qytetarëve. Ajo që dua të vë në dukje është Reforma Zgjedhore. Kjo Reformë do jetë prioritet mbi prioritetet. Gjithashtu, pa lënë pas organet e Reformës në Drejtësi, si Gjykata Kushtetuese. Janë dy procese të ndërlidhura që do i japin drejtim krizës për t’u mos përsëritur më.

Ku qëndron problemi më i rëndësishëm, sipas jush në lidhje me Reformën Elektorale?

Problemi kryesor qëndron te sistemi zgjedhor. Duhet të ndryshojmë̈ sistemin aktual, sepse e ka helmuar demokracinë e kërkuar për vite me radhë̈. Ky sistem është̈ marrë peng nga kryetarët e partive duke cunguar dita ditës maturimin politik. Të jeni të sigurte që me këtë sistem asnjë nuk do njerëz të denjë rreth vetes, sepse mbizotëron kontrolli i vazhdueshëm politikëbërës dhe biznesbërës që ushqejnë njëra-tjetrën. Ky sistem nuk është i orientuar drejt popullit, drejt përfaqësimit të denjë të qytetarëve që flasin për problematikat e çdo qyteti e fshati në Shqipëri. Nga mungesa e demokracisë brenda partive, buron dhe mungesa e një qeverisje demokratike. Çdo qeveri ka ndikuar ndjeshëm në shoqërinë̈, biznesin, kulturën shqiptare dhe kjo mungesë kontrolli ka krijuar në çdo institucion a organ shtetëror varësi politike të padrejtë. Sot, demokracia në Shqipëri ekziston vetëm në letër. Për vite me radhë̈, në historinë̈ post komuniste kemi pasur shumë pak politikanë që vërtet kanë luftuar për këto vlera demokratike. Dua të theksoj gjithashtu se: depolitizimi i strukturave administrative në zgjedhje është̈ po ashtu një̈ proces që nuk është̈ përshtatur ashtu siç̧ duhej, sepse për hir të së vërtetës, sot përballemi me një̈ situatë ku asnjë̈ individ nuk preferon të heqë dorë nga pushteti i tij për të çuar më tej këto parime. Reformat nuk janë procese që bëhen vetëm për një gjeneratë. Ato janë̈ procese afatgjata, dhe në funksion të kësaj, të zbatosh një̈ reformë ashtu siç̧ duhet, në radhë̈ të parë, të sakrifikosh pushtetin tënd, dhe ndonjëherë dhe reputacionin politik që ke krijuar, vetëm për të mirën e Shqipërisë̈. Vota e Diasporës është po ashtu shumë e rëndësishme, kur më shumë se gjysma e popullsisë jeton jashtë̈ vendit. Ata duhet dhe do përfaqësohen në Parlamentin Shqiptar shumë shpejt.

A mundet që Parlamenti i Shqipërisë të përgatisë një Reformë Elektorale përpara afatit të zgjedhjeve?

Reforma Elektorale nuk do të ndalet, sepse ajo është çelësi, që zgjidh krizën politike në vend. Kushdo nëpërmjet pushtetit të tij/saj mund të shantazhojë këtë Reformë, por ky proces do të jetë “thembra e Akilit”, i cili do gjunjëzojë̈ të gjithë̈ ata që mendojnë̈ se mund të marrin peng zgjedhjet. Do ketë ndryshime rrënjësore kushtetuese dhe ligjore për të arritur standardet e duhura. Reforma zgjedhore është detyrim ndaj shqiptarëve dhe ka mbështetjen nga aleatët tanë kryesorë. Çdo takim brenda dhe jashtë vendit është në shërbim të Shqipërisë dhe krizës politike. Nuk do e kisha zgjedhur kurrë këtë rrugë nëse do mendoja për përfitime personale. Jam gati të bëj çdo sakrificë dhe nuk kam ndërmend të ndalem në këtë rrugë që kam marrë përsipër sepse e di që kam shumë njerëz nga mbrapa. Në çdo takim kam për detyrë të shpalos prioritetet e opozitës aktuale parlamentare, sa shqiptare aq dhe demokratike, “me këmbë në tokë”, që është e lodhur nga një politikë e mbetur në tranzit.